Ne muslimanët, nuk kemi pasur ndonjëherë komplekse nga diversiteti fetar!

Më kërkoi sot im bir, Hakimi disa sqarime rreth një mësimi në lëndën “Vendlindja ime – Shkodra”, për klasat e 5-ta. Libri në fjalë ka për autore dy zonja, që nuk e di specializimin e tyre dhe, natyrshëm nuk jam specialist i mirëfilltë i fushës për të cilën ato kanë shkruar. Por, gjatë shfletimit të librit konstatova disa dukuri, për të cilat duhet të ndalem e të kërkoj llogari me të madhe, për shumë arsye.

(Duke iu rikthyer arkivit të hytbeve të xhumasë ndër vite, më rezulton se për këtë temë kam folur gjatë edhe para shumë vitesh. Asokohe, ka pasur disa reagime pozitive, ndonëse botimi i sotëm është i njëjti, ai i vitit 2008 dhe mësohet në krejt shkollat e qytetit tim).

Libri në fjalë është një tekst racist me tendencë antiislame të theksuar, dukuri që vihet re, sidomos në kapitullin e figurave të shquara të Shkodrës. Po i rreshtoj, sipas rendit që autoret kanë përzgjedhur: Marin Barleti, Marin Biçikemi, Oso Kuka, Vaso Pasha, Pjetër Marubi, Filip Shiroka, Kolë Idromeno, Palokë Kurti, Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Hilë Mosi, Millosh Gjergj Nikolla, Vojo Kushi, Jordan Misja, Vasil Shanto, Prenk Jakova, Branko Kadia, Marie Logoreci, Ndrek Shkjezi, Loro Boriçi, Lec Bushati, Çesk Zadeja, Pjetër Gaci, Gjon Simoni, Tinka Kurti, Bep Shiroka, Serafin Fanko, Tano Banushi, Roza Anagnosti, Rikard Ljarja, Zef Çoba.

Personalitetet e përmendura kanë emrin dhe famën e tyre, secili në fushën e tij. Absolutisht, i respektoj dhe i vlerësoj për kontributet e tyre. (Nuk do merrem me asnjërin personalisht, se nuk më takon, edhe pse mund të kem rezervat e mia të argumentuara për ndonjërin prej tyre, sidomos nga ata që nuk jetojnë më, por nuk është ky objekti i këtyre shënimeve).

Ajo që dua të theksoj dhe të tërheq vëmendjen me të madhe është fakti se përse janë eliminuar krejtësisht personalitetet muslimane të Shkodrës, në fusha të ndryshme të jetës, intelektualë, dijetarë, pajtimtarë, shkrimtarë, drejtues të arsimit, politikës, njerëz të kulturës e artit, sportit e çdo sfere tjetër të jetës?! Kjo është Shkodër e cungët, e mangët, sakate, jo Shkodra ime!

Kjo më kujton bashkëbisedimin me njërin prej ambasadorëve të nderuar, me të cilin po flisnim rreth Shkodrës dhe veçorive të saj. Më tha: “I nderuar Myfti, fillimisht, kur kam ardhur në vendin tuaj, më thanë se Shkodra është qyteti i zonjës filani, një qytet me pakicë muslimane. Mirëpo, nga vizita në qytetin tuaj, po konstatoj se ky prezantim që i bëhet qytetit tuaj në rangjet diplomatike nuk është i saktë, madje tendencioz dhe krejtësisht i pasaktë!” Dhe, ambasadori kishte të drejtë, kjo është e vërteta e madhe, me të cilën është veshur Shkodra e 26 viteve të fundit, nën trysninë e politikave asimiluese të elementit islam, që përbën pjesën dominuese të Shkodrës. Është një realitet që dëshmohet edhe sot, sidomos në administratë, arsim, politikë, sport, kulturë e në çdo fushë!?

Ne muslimanët, nuk kemi pasur ndonjëherë komplekse nga diversiteti fetar dhe as që kemi, sepse vlerat e harmonisë ndërfetare i kemi ndërtuar me pastërti dhe sinqeritet, si një shtyllë e rëndësishme e komunikimit kur’anor dhe e traditave të Hz. Muhammedit (a.s) në marrëdhëniet sociale! Kështu do të jetë përherë, përtej shejtanëve dhe cytjeve të tyre, por, tendencat raciste dhe përçarëse, duhet t’i frenojmë dhe t’i refuzojmë, sepse nuk i bëjnë mirë qytetit dhe ekuilibrave të tij!

Kohëve të fundit jemi dëshmitar të rritjes së frymës së islamofobisë dhe mllefeve të pashembullta, që vijnë nga andej-këndej, kryesisht nga jomuslimanë. Sharje, fyerje, provokime, hile, dyfytyrësi, tinzari etj! E vëmë re edhe në laicizmin selektiv të politikës shqiptare. Kësaj të fundit i ka dalë boja prej kohësh në këtë drejtim!? Ndonjë derdimen ka shkuar deri aty, sa të na kërkojë llogari publikisht edhe për tekstet tona të shenjta liturgjike, edhe për zbukurimet e xhamive?! Madje e ka kaluar cakun e kufirit të logjikës, duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve shtetërore për heqjen e tyre!? Dhe, ky është një kulm injorance, që ia japim fytyrës kujtdo që tejkalon kufijtë e njerëzores në marrëdhënie me fenë tonë dhe shenjtëritë e saj, kushdo e çfarëdo qoftë!

Ndonjë tjetër, që hiqet si atdhetar, na kërkon shqipërimin e tyre se nuk i kupton në arabisht (a turqisht, sa qesharake është kjo e fundit?!); kurrë mos i kuptoftë, nuk e ka për detyrë as për obligim, as fetar, as kombëtar, as moral e as social nga pozita e fesë që ka! Secili të shohë punën e tij dhe të respektojë kufijtë e tolerancës, si dhe të kontribuojë maksimalisht për harmoninë kombëtare, që e kemi të shenjtë! Keni dëgjuar ndonjëherë nga ndonjëri prej nesh të mungojë respekt ndaj teksteve latine, greke a hebraike të liturgjive joislame? Kurrë dhe kurrë nuk do të dëgjoni!

Teksti “Vendlindja ime – Shkodra” cek edhe xhaminë e Sulltan Mehmet Fatihut, që asnjëherë se përmend si të tillë!? Pavarësisht tendencave përçarëse fetare të mbështetura edhe nga Ministria e Kulturës ndër vite, si dhe nga ndonjë ambasadë e huaj në vendin tonë, historia mbetet histori; faltorja e kalasë Shkodër është xhami, jo katedrale a kishë, sikurse e prezanton libri në fjalë dhe sikur e gjejmë edhe në emërtimet zyrtare në google me një tendencë të dukshme përjashtuese të elementit dhe identitetit islam të saj!

Këto janë tema delikate, për të cilat nuk duhet të ketë asnjë tolerancë ndaj kujtdo dhe nuk duhen lejuar që këto tekste të përhapen në mesin e fëmijëve tanë. Jo në këtë mënyrë, jo në këtë rrobë!

Frymën e harmonisë ndërfetare e kemi ushqyer me shpirtin tonë prej shekujsh, do të vazhdojmë ta bëjmë duke respektuar fenë e secilit, kulturën e tij, lirinë dhe përzgjedhjen e lirë. Do të vazhdojmë të punojmë, që harmonia të mbetet vlerë mbi vlerat, por në të njëjtën kohë, do të tërheqim vëmendjen ndaj çdo tendence, me a pa qëllim, që tenton të prishë këtë ekuilibër të shenjtë, për të cilin do të japim llogari para Zotit, fillimisht, por edhe para brezave që vijnë!

Për fund, mendoj se Komuniteti Mysliman i Shqipërisë duhet të ndërhyjë me forcë pranë Ministrisë së Arsimit, për korrigjimin dhe plotësimin e këtyre teksteve të cungëta, tendencioze, raciste dhe abuzive me elementin musliman.

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

Shkodër, më 22 shtator 2016