Në dritësinë e zotni Muhamet Sokolit…

Në dritësinë e zotni Muhamet Sokolit…

Baba jem, rahmet pastë, përherë më fliste me respekt për këtë burrë të urtë dhe fisnik, sa herë takoheshim në xhami, por jo vetëm..!

Më fliste me shumë admirim për zotni Muhamet Sokolin, sportistin e dalluar të rinisë së tij, “kolosin e basketbollit shkodran”, siç e njohin specialistët. E përmendte përherë për tiparet e tij, që e bënin të dalluar në mesin e shumë prej bashkëmoshatarëve…

Subhanallah, kështu, fin, serioz, babaxhan, fjalëurtë, besimtar, në rresht të parë, dashamirë e fytyrë qeshur e njoh zotni Muhametin, që ditën e parë që hyra në xhami të Tophanës dhe deri më sot… Tashmë 93 vjeçar, është akoma aty, në pragun e tij, në një cep, që njihet si “vendi i profesor Muhamet Sokolit”, përballë hatibit, që i shndrisin sytë, saherë ngrihet për të mbajtur hytben e xhumasë dhe përballë sheh fytyrën e qeshur e në lutje të zotnisë së moçëm shkodran…

Këtë të xhuma, sapo u pamë në xhaminë tonë, u ngrit në këmbë, me gjithë moshën e thyer dhe dhimbjen e gjunjve… (Vazhdon të rrezatojë mirësi e dritë, duke më bërë ta dua e ta respektoj, çdoherë e më shumë!)

Folëm e folëm, me të njëjtin respekt e dashamirësi, zotnia e tij në pozitën e të urtit, që kujdeset për personin që ka para syve, si një prind zemërgjerë me fëmijën e tij; unë, në pozitën e atij që e falënderon Allahun pambarimisht, që nuk e ndan nga prania e burrave të urtë e të mirë, në jetën e tij!

Asht tabani, qytetaria, besimi e nuri i tij, nëpërmjet të cilëve, Zoti na tregon se ky model e kjo vulë, është ajo e zotnive muslimanë të Shkodrës, fryma e baballarëve e gjyshërve, të parëve, që na trashëguan vlerat dhe qytetarinë e brumosur me prekjet fisnikëruese të këtij Islami madhështor, me të cilin, na nxori nga errësirat në dritë!

Bekim i madh për mua, për ne!

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 30 prill 2023