“Larg drogës, alkoolit, lojrave të fatit…”, bashkëbisedim me maturantë

Paraditën e së enjtes, më 20 tetor 2016, në kuadër të aktiviteteve të përbashkëta në mes Myftinisë Shkodër dhe Medresesë "Haxhi Sheh Shamia", Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, zhvilloi një bashkëbisedim me një grup maturantësh, rreth fenomeneve të dëmshme, si: droga, alkooli, duhani, lojrat e fatit etj.

Aktiviteti, që u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë në djepin e dijes dhe edukimit islam, u përqendrua tek mesazhi i Myftiut, i cili ndër të tjera tha: "Të gjithë ne, po ndjekim prej vitesh me shqetësim të madh përhapjen në masë të alkoolit, duhanit, basteve, të quajturave “lojra të fatit”, kumarit, shthurrjes morale, divorceve për shkak të dhunës në familje, tradhëtive bashkëshortore, degradimit të moralit dhe zhdukjes së turpit nëpërmjet keqpërdorimit të rrjeteve sociale, si fb, instagrami etj., si dhe së fundi, përhapja në masë e mbjelljes,kultivimit dhe përhapjes së bimëve narkotike dhe drogërave të ndryshme, që po kthehen në një gangrenë të dhunshme për shoqëerinë shqiptare, rininë në veçanti!

Nga pozita e Myftiut të Zonës Shkodër dhe në emër të Myftinisë Shkodër, ftoj të gjithë besimtarët muslimanë dhe bashkëqytetarët e mi, rininë e shtrenjtë në veçanti, të distancohen nga krejt sa përmenda më lart, sepse konsumimi i duhanit, alkoolit (me krejt llojet e tij), drogërave, është shkaktar i dëmeve të pallogaritura morale, shëndetësore, ekonomike, sociale, por jo vetëm!

Njëkohësisht, tërheq vëmendjen e krejt besimtarëve dhe bashkëqytetarëve të mi për të mos e humbur kohën, shëndetin dhe pasurinë e hallallit pas bixhozit, basteve, kazinove, sepse nuk është në natyrën e muslimanit dhe besimtarit frekuentimi i vendeve ku shkelet fjala e Zotit, ku dëmtohet familja, ku prishet morali, ku njeriu kthehet në skllav i shejtanit të mallkuar, epsheve dhe kapriçove, tekave dhe errësirës!"

Myftiu theksoi gjithashtu, se: "Në mënyrë kategorike, ne si bashkësi fetare, si besimtarë muslimanë, distancohemi nga këto fenomene, sikurse bëjmë thirrje publike për të gjithë bashkëqytetarët tanë dhe institucionet tona, që ta ruajmë vendin, shoqërinë, individin dhe familjen shqiptare nga katastrofa e drogës, pijeve dehëse, bixhozit, basteve, kazinove dhe hashashit! Njëkohësisht ftojmë bizneset mbarë, ato të muslimanëve në veçanti, të distancohen nga shitblerja dhe përdorimi i pijeve alkoolike, duhanit dhe drogërave, që sjellin vetëm dëme të shumëanëshme, harame e mallkime hyjnore!"

Nijë mesazh plot urtësi dha edhe drejtori i Medresesë, z. Kujtim Dervishi, i cili vlerësoi këto takime si një sensibilizim me dobi, në një kohë, kur gjithandej po përhapen alarmet e rrëshqitjes së rinisë drejt këtyre fenomeneve të rrezikshme.

Ai theksoi se është mirësi e madhe e Zotit, që medresistët edukohen me një moral të lartë dhe me një disiplinë të admirueshme fetare dhe shkencore, larg veseve dhe rrezikut të tyre.

Bashkëbisedimi vijoi me ndërhyrjet e vyera të maturantëve, shembuj konkretë nga përditshmëria e marrëdhënieve të tyre me bashkëmoshatarë etj.

Ky bashkëbisedim me vlerë u pasurua edhe me ndërhyrjet e teologëve Arben Halluni dhe Evans Drishti.