Njeriu pa fé, pa Zot, në liri absolute e pa kufi, e ka humbur busullën…

Të gjitha falënderimet e plota dhe madhështia e plotë i takojnë vetëm All-llahut të Madhëruar, i Cili urdhëron në Kur’anin Famëlartë: “Dije se nuk ka Zot tjeter pos All-llahut”. – (Muhammed: 19).

Salavatet dhe përshëndetjet më të përzemërta ia dërgojmë sot në këtë ditë dhe në çdo ditë të jetës tonë, Ma të Mirit dhe Ma të Shtrenjtit, zotërisë së bijve të Ademit, Hz. Muhammedit (a.s), i cili na tregon nga Zoti i gjithësisë, në hadithin kudsi, se Ai ka thënë: [Ka thënë All-llahu i Madhëruar: “Më ka sharë i biri i Ademit, njëkohë që nuk i takon të më shajë dhe, ka gënjyer për Mua, njëkohë që nuk i takon të gënjejë! E, përsa i përket sharjes së tij, ajo qëndron në fjalën e tij se, Unë “kam djalë”, ndërkohë që Unë jam All-llahu, i Vetmi, Mua më mbështetet çdo gjë, nuk kam lindur njeri dhe nuk jam lindur prej kujt dhe, askush nuk është i barabartë me Mua! Ndërsa gënjeshtra e tij për mua, ajo qëndron në fjalën e tij: “Zoti nuk do më ringjallë, siç më ka krijuar!” Fillimi i krijimit nuk është më i lehtë për Mua sesa ringjallja e tij!”] – (Ahmedi, Bukhariu dhe Nesaiu, nga Ebu Hurejra).

Të dashur e të nderuar vëllezër besimtarë dhe ju motra të nderuara,

Sivjet, ne përkujtojmë së bashku 10 vjetorin e inaugurimit të xhamisë së Parrucës. Në pamje të parë, kjo është një datë e zakonshme dhe një event i papërfillshëm, aq më shumë në një komunitet vlerash që tërhiqet padrejtësisht drejt hutimit, për të mos pasur në jetën e tij as data, as evente, as ngjarje, as ndodhi e personazhe, që ia vlen të përkujtohen vit pas vite dhe dekadë pas dekade…

Xhamia e Parrucës është një ndër këto stacione, data, personazhe, ngjarje dhe mesazhe, që nuk duhen harruar asnjëherë në jetën tonë komunitare, për shumë e shumë arsye!

Në fakt, ka disa ditë që në mendimet e mia sillen disa ajete dhe hadithe, që më tërheqin t’i përmend kudo, si pika të rëndësishme të udhëzimit tonë në jetë.

Ajeti i parë, që lidhet edhe me xhaminë tonë, simbolikën e saj dhe përvjetorin e saj të dhjetë, është ajeti kur’anor: “E kush mundet të jetë më mizor se ai që në xhamitë e All-llahut pengon të përmendet emri i Tij (të bëhet ibadet) dhe përpiqet për shkatërrimin e tyre.” – (El-Bekare: 114). Ndërsa ajeti i dytë është: “(Përkujto Muhammed) Kur Zoti yt u tha melekëve: “Unë po krijoj (po përcaktoj) në tokë një mëkëmbës”! Ata thanë: “A do të vendosësh në të, atë që bën çrregullime dhe që derdh gjaqet, e ne të madhërojmë Ty me lavdërimin Tënd dhe plotësisht të adhurojmë”! Ai tha: “Unë di atë që ju nuk dini”!” – (El-Bekare: 30).

Dhe mendoj se, sot, njerëzimi sillet rreth këtyre dy realiteteve në marrëdhëniet e tij me fenë, me Zotin, me tjetrin.

Të dashurit e mi,

Njeriu pa fé, pa Zot, në liri absolute e pa kufi, e ka humbur busullën, e ka dëshmuar veten si krijesë për t’u pasur frikë për mungesën e boshtit të tij identitar; vrastar, ziliqar, imoral, i shthurrur, i korruptuar, gënjeshtar, zullumqar i madh!

Njeriu abuzues me fenë e Zotit, duke e deformuar atë e duke futur duart ku nuk duhet në thelb të fesë dhe moralit të saj, e ka dëshmuar veten si krijesë e frikshme; i pabesë, i pamoralshëm, cinik, hipokrit, mashtrues!

Përballë këtij fenomeni, që për ne shqiptarët muslimanë, është mëse i perceptueshëm, edhe nga pozita e jonë gjeografike, por jo vetëm, qëndron Islami, feja e Zotit, feja e Librit të pandryshueshëm, e Librit garanci edhe për Librat e tjerë të devijuar e të zhvatur, feja e krejt të dërguarve, feja e shpresës, me të cilën do të zbresë në tokë robi i Zotit, Isai (a.s) në kohët e mbrame, për të përhapur Dritë e Paqe, pasi kjo botë të jetë mbushur me errësirë e padrejtësi, siç ka nisur të mbushet, fatkeqësisht!

Vëllezërit e mi,

Sot, ne jemi të ftuar ta lexojmë më me qetësi dhe largpamësi pozitën tonë si Njerëz, për të kuptuar se ku qëndrojmë në realitetet e jetës tonë? A jemi ne krijesa, prej të cilës frikësoheshin melekët, apo Mëkëmbësi i Zotit, që ndërton dhe zhvillon jetën e tij, si amanet i shenjtë i Krijuesit?

Ne si muslimanë, jemi të ftuar sot për të kuptuar se nuk mund të jesh në jetë edhe Mëkëmbës i Zotit, edhe shkelës i Fjalës së Tij!? Nuk mund të jesh edhe Mëkëmbës i Zotit, edhe pranues i të jetuarit nën zgjedhën e injorancës, mashtrimit, korrupsionit, drogës, hashashit, krimit, mungesës së sigurisë, hipokrizisë e parazitizmit në jetë!

Ndërkohë, Resulull-llahu (a.s), teksa vizaton shembullin e përkryer të Mëkëmbësit, ndër të tjera urdhëron: “E mëshiroftë All-llahu një njeri; zemërmirë kur shet, zemërmirë kur blen, zemërmirë kur gjykon, zemërmirë kur kërkon të drejtën e tij!” – (Bukhariu dhe Ibn Maxheh, nga Xhabiri).

Poashtu urdhëron: “Më i miri i njerëzve është ai që më së miri e lexon Kur’anin, edhe ai që më së miri e kupton fenë e All-llahut, edhe ai që më së miri përkushtohet, edhe ai që më së miri urdhëron për mirë, edhe ai që më së miri ndalon të keqen, edhe ai që më së miri i ruan lidhjet farefisnore!” – (Ahmedi, Tabaraniu dhe Bejhekiu, nga Durra bint Ebi Leheb).

Poashtu na tërheq vëmendjen, se: “Më të mirët e ymmetit tim janë ata që kur shihen, përmendet All-llahu! Ndërsa, më të këqinjtë e ymmetit tim janë ata që mbartin fjalë, ata që ndajnë në mesin e të dashurve, dëshiruesit e së keqes për të pafajshmit!” – (Ahmedi, nga Abdurrahman ibn Ganem).

Dhe thotë: “Më të mirët ndër ju janë jetëgjatët vepërmirë!” – (Hakimi, nga Xhabiri).

Ky është modeli ynë, ky është Islami ynë, kjo është e ardhmja e jonë dhe e fëmijëve tanë, të cilët i kemi amanet dhe assesi nuk duhet të tolerojmë të edukohen me shthurrjen, imoralitetin, afetarizmin dhe modelet e pashpresa, me të cilat përballet sot rinia e jonë!

Imam Muhamed B. Sytari

Myfti i Zonës Shkodër

(Hytbeja e xhumasë, mbajtur në xhaminë e Parrucës, më 6 janar 2017)