Vetëm Zoti, mund të ta falë gabimin!

“Tregon Ali ibn Rebia: Më mori me vete Ali ibn Ebi Talibi (r.a) dhe ecëm deri në një vend të caktuar, ku ngriti kokën e tij nga qielli dhe tha:

“O Zot m’i fal gjynahet e mia, përveç Teje askush nuk i fal gjynahet.” Pastaj u kthye nga unë dhe qeshi. I thashë: O prijës i besimtarëve, i kërkove falje Zotit tënd dhe u solle nga unë duke qeshur?

Tha: Një herë, më mori Resulull-llahu me vete dhe ecëm deri në këtë vend, ku ngriti kokën nga qielli dhe tha: “O Zot m’i fal gjynahet e mia, përveç Teje askush nuk i fal gjynahet.”

Pastaj u kthye nga unë dhe qeshi. I thashë: O i dërguar i All-llahut, i kërkove falje Zotit tënd dhe u solle nga unë duke qeshur?

Tha: “Qesha nga e qeshura e Zotit tim, nga habia e Tij për robin e Tij, i cili e di se askush nuk i fal gjynahet përveç Tij!”

Pra, ka shumë rëndësi të dijmë dhe të kuptojmë se gabimet a rrëshqitjet e ndryshme që bëjmë në jetë, nuk ka njeri, melek a xhin në botë që të na i falë, përveç Krijuesit të gjithësisë!

Njeriu nuk ia fal njeriut gabimet e gjynahet! Njeriu ia bën hallall tjetrit dhe ia fal gabimin në hak të tij, por nuk ka aftësi dhe mundësi të falë gjynahun, të fshijë gjurmën dhe të keqen e tij, për të cilën njeriu mund të pendohet, për të mos e përsëritur më!

Sepse njeriu është i kufizuar, është i vogël, është i dobët! As profetët nuk kanë aftësinë dhe mundësinë e faljes së gabimeve a gjynaheve të krijesave të Zotit! Absolutisht, jo!

As sahabët, as tabiinët, as dijetarët e mëdhenj, as myftilerët, as Shejkhul-Islamët, askush në botë! Kurrësesi! Nuk ka logjikë, nuk ka kuptim!

Prandaj, të kuptosh se vetëm Zoti, mund të ta falë gabimin dhe të ta ndreqë zemrën, ta udhëzojë mendjen dhe ta drejtojë moralin tënd, është një gradë e lartë besimi, që jo kushdo e ka rizk!”

Nga hytbeja e Myftiut të Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari,
në xhaminë e Plumbit, Shkodër, më 18 mars 2016.