Këta jemi ne, ky është Islami ynë!

Ky shekull është shekulli i Islamit! Në 15 shekujt e fundit, armiqësi e sprova të shumta kanë fryrë si furtuna të acarta në fytyrën e muslimanëve; asnjëherë nuk është shuar Drita e All-llahut, Zotit të botëve! Kurrë nuk do të shuhet! Sa e sa Ebu Xhehlë janë përpjekur ndër shekuj, sa e sa përpiqen sot, sa e sa do të përpiqen!? Sa e sa lajmëtarë të Zotit janë vrarë, sa e sa Pejgamberë janë kundërshtuar, sharë e mallkuar!? Kjo është natyra shekullore e përballjes së Dritës me errësirën, e të Vërtetës me kotësitë, e Humanizmit me shthurrjen! Jetojeni Islamin tuaj, me mrekullitë, bukurinë, pastërtinë, humanizmin, vlerat dhe madhështinë e tij! Mos hezitoni t'ia mësoni atë fëmijëve tuaj! Mos lejoni që fëmijët e muslimanëve të rriten me tjetër edukatë e kulturë, nga ajo e gjyshërve dhe nënave me degermi të bardha! Mos u tundoni nga frymërat bashkëkohore të islamofobisë, as mos u lëkundni në besimin tuaj, kulturën, qytetarinë e pastërtinë që karakterizon muslimanin! Sot, ne si muslimanë fyhemi, shahemi, kërcënohemi (edhe me jetën tonë e të fëmijëve tanë), sikurse abuzohet haptas dhe pa ndrojtje me emrin e Madhnueshëm të fesë sonë! Po, kjo është e vërtetë! Por, Resulull-llahu (a.s) na ka mësuar që përballë injorancës dhe vulgaritetit të saj (dhe njerëzve të saj), të durojmë, të heshtim, të kthejmë shpinën, të mos ndalim ritmet e përsosjes së besimit dhe moralit të tij! Sepse: "E ardhmja është për të përkushtuarit!", siç thotë Kur'ani Famëlartë dhe, përkushtimi në jetën e muslimanit qëndron si një re e bardhë mbi çdo lëvizje që ai bën në jetë! Pa të, nuk i thuhet muslimanit, musliman! Rrugëtimet tona nisin në këtë botë dhe përfundojnë në të përtejmen! Sepse ne jemi kërkues të pëlqimit të Hakut, jo ndërtues të perandorive të mashtrimit, hiles, injorancës, egoizmit e vulgaritetit që e bëjnë njeriun të jetojë si armik i vëllasë së tij njeri! Tek ne është ndryshe! Dëshmojeni me krenari dhe nder qenien tuaj Muslimanë! Historia e jonë është e bardhë, e pastër, e dlirtë! Kur'ani ynë qëndron si diell ndriçues deri në kiamet! Udhëzimet e Resulull-llahut (a.s) na prijnë e s'na lënë të gjykojmë e të ndërmarrim veprime në mbrojtje të egove tona, dëshirave e kapriçove! Këta jemi ne, ky është Islami ynë!

Imam Muhamed B. Sytari Shkodër, më 27 janar 2017

(Këshillë xhumaje...)