Meskinitetet kurrë nuk kanë qenë vlera!

Nuk e kam kuptuar asnjëherë se përse akoma sot, dikush, gjoja në emër të kombit dhe vlerave kombëtare, na bën filozofi e histori, mbështetur mbi osmanofobi, duke mbjellur urrejtje në mes nesh? Islami tek ne shqiptarët ka mbërritur para osmanëve, ndërsa në Hilafetin Osman, ne shqiptarët u bëmë me famë, (ndoshta, si kurrë më parë e asnjëherë më pas në histori), udhëheqës, drejtues, komandantë, vezirë e kryeministra, (por jo vetëm)! Përse këtij pishtari të urrejtjes i mbahet ende fitili ndezur?! (Unë e kuptoj shumë mirë, por nuk kam ç'të bëj, kështu e ka kjo punë, disa vegjetojnë në moçalishtet e fanatizmit të verbër dhe ekstremizmit në të menduar e arsyetuar! Gjynah!) Nga ana tjetër, unë nuk e kam për borxh t'i jap llogari askujt se kë dua e kë vlerësoj në bindjet dhe besimin tim, as në vokacionin tim kombëtar! Të bekuarit, në paralajmërimet e Ma të Dashtunit tim, Hz. Muhammedit (a.s), Sulltan Mehmet Fatihut, nuk mund të mos i them Fatih (Çlirimtar), as se ma kërkon një analist, as se më shan për të një historian, as se ma përmend tash e parë një anonim që për mua nuk vlen asnjë grosh! Do ju respektoj të gjithëve në bindjet tuaja, edhe kur gënjeni, edhe kur mashtroni, edhe kur thoni ca të vërteta që vetëm ju i besoni dhe nuk do ju kthej përgjigje, se kështu jam edukuar! Se, në fund të fundit nuk jua kam as për borxh! Gjithashtu, kushdo që përpiqet të fusë hundët në këto punë, e mëshiroj dhe më dhimbset me zemër, vallahi! "Ju keni fenë tuaj dhe unë timen!", është balsami që Kur'ani Famëlartë i ofron gjithësisë për të jetuar në harmoni në diversitet! Ndërsa, të vazhdosh të bësh propagandë urrejtjeje, mosrespekti dhe të tejkalosh normat e logjikës në përballje me tjetrin, besimin, bindjen, argumentin dhe qasjen e tij ndaj fakteve, është pa asnjë dyshim meskinitet banal, që i kthehet mbrapsht kujtdo që e promovon si vlerë! Meskinitetet kurrë nuk kanë qenë vlera! Në fakt, unë jam i bindur se ky model mahluku, vuan në thelb islamofobinë, që prej kohësh, të shumtë ia kanë mëkuar këtij populli, mjerisht..!? Unë me zemër i ftoj në Islam, me bindjen se do të gjejnë shërim të plotë të komplekseve, që ua bëjnë jetën vner e inat! All-llahumme udhëzoji zemrat e tyre drejt Dashnisë Tande dhe përuljes para mrekullive të besimit! Për fund, monumenti i kulturës në kalanë e Shkodrës është xhamia e Sulltan Mehmet Fatihut! Këtë ma thonë faktet historike, logjika dhe arsyetimi. Me këtë, nuk po provokoj njeri, aq më pak të nxis çfarë se kam as në gen, as në besim, as në edukimin tim familjar, qytetar e identitar! I pëlqeu kujt i pëlqeu, e pranoi kush e pranoi, e refuzoi kush e refuzoi, heshti me turp kush heshti, bëri protagonistin kush bëri, u cyt kush u cyt, u përpëlit në zamallahinë e provincializmit kush u përpëlit! O Zot, bëhu Dëshmitar!

Imam Muhamed B. Sytari Myfti i Zonës Shkodër Shkodër, më 28 janar 2017