Zvicër, Myftiu i Shkodrës ligjëroi në 20 vjetorin e xhamisë “Mërgimi”

 

Ditën e shtunë, më 4 shkurt 2017, me ftesë nga Bashkësia Islame Shqiptare “Mërgimi”, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, mori pjesë në ceremoninë jubilare të 20 vjetorit të xhamisë shqiptare në Affoltern am Albis, Zvicër.

I ftuar special i këtij aktiviteti, Myftiu ligjëroi mbi rolin e xhamisë në ndërtimin e personalitetit të muslimanit dhe ndërtimit të urave të komunikimit dhe harmonisë komunitare. Në ligjëratën e tij, Myftiu theksoi: “Përshëndes me zemër 20 vjetorin e xhamisë “Mërgimi”, këtu në Affoltern am Albis të Zyrihut; një arritje e madhe, një dëshmi besimi, qytetarie e besnikërie e shqiptarëve të mirë të kësaj zone, që keni ruajtur me pastërti e sinqeritet të madh elementët më të rëndësishëm të dinjitetit tuaj njerëzor; besimin e shenjtë, gjuhën e dashur, traditat e vyera kombëtare, harmoninë e shtrenjtë komunitare në këtë vend të dashur, që ju ka hapur krahët e zemrës, duke ju mirëpritur ju dhe familjet tuaja, duke ju krijuar mundësi për punë, jetesë e fitim hallalli.

Në një mënyrë a tjetër, emri i xhamisë tuaj me realitetin e largimit tuaj nga vendlindja e shtrenjtë, më ngjajnë me emigrimin e parë të muslimanëve të Mekës, të cilët, Resulull-llahu (a.s) i udhëzoi të shkonin në një vend, për të cilin tha: “Aty është një mbret, tek i cili, nuk i bëhet padrejtësi njeriu!”

All-llahu i Madhëruar ju dhashtë mbarësi dhe suksese, ju dhe familjeve tuaja fisnike, për të jetuar në harmoni të plotë me qytetarët e këtij vendi dhe kësaj toke, për të respektuar dhe për t’u respektuar, si shqiptarë të mirë, si muslimanë të mirë, si njerëz plot dinjitet dhe fisnikëri!”

Gjatë kësaj vizite, Myftiu zhvilloi takime të ngrohta vëllazërore me personalitete të njohura të Thirrjes Islame në mesin e shqiptarëve të Zvicrës, por edhe më gjerë, sikurse falënderoi imamin e nderuar, Festim ef. Miftari për shërbimet e tij dhe aktivitetin e dobishëm në xhaminë “Mërgimi”.

Ndërkohë, të dielën, më 5 shkurt 2017, Myftiu mbajti një ligjëratë edhe në xhaminë e madhe të shqiptarëve në Zyrih, ku hodhi dritë mbi rëndësinë e të qenit të përgjegjshëm në jetë, sikurse nxiti forcimin e vlerave të vëllazërisë dhe harmonisë në mesin e shqiptarëve që jetojnë në Zvicër dhe dëshmimine tyre si njerëz të qytetëruar, të dobishëm për shoqërinë dhe ndërtues.

Ditën e martë, më 7 shkurt 2017, gazeta vendase “Anzeiger”, botoi një kronikë të zgjeruar të ceremonisë jubilare të 20 vjetorit të xhamisë shqiptare “Mërgimi”, në Affoltern am Albis.