Zgjohuni, o muslimanë..!

100 të vdekur nga gazi sarin dhe klori, (kryesisht fëmijë) dhe rreth 400 të lënduar në gjendje të rëndë, (kryesisht gra e të moshuar), është bilanci i ditës së sotme në një nga rrethinat e Idlibit në Siri!

Që nga fillimi i zbrazjes së organizuar të Sirisë, (si ajo e Irakut, vite më parë e deri më sot), nëpërmjet shkatërrimit në masë, bombardimeve, torturave çnjerëzore, dhunimeve flagrante etj., bota e jonë është bërë më e pandjeshme ndaj vetvetes, ndjenjës së humanizmit, vlerave shekullore, si: ndihmesa në vështirësi, solidarizimi, bamirësia, dhembshuria etj.

Sot, pamja e atyre fëmijëve të gjorë, të mbytur me gaz sarin, për shumë humanë, nuk përbën lajm. Disa të tjerë i lexojnë dhe i kalojnë me indiferencë, disa edhe gëzojnë në heshtje, a jo…

Kjo botë, në të cilën jetojmë është mbingarkuar nga mashtrimi e hipokrizia, urrejtja dhe insanofobia, po, po: INSANOFOBIA! Me fjalë të tjera, sistemet bashkëkohore kanë dështuar të ruajnë e të garantojnë paqen globale, mirëqenien, harmoninë, bashkëjetesën, të drejtat, liritë, demokracinë e tyre të famshme, njerzillekun!?

Sot, teksa shikoj me dhembje të madhe këtë krim monstruoz, mbi një popull të varfëruar e skamnor, në djepin e qytetërimeve të botës, paralel ndjej një neveri të madhe, kur sjell ndër mend hipokrizinë që sillet si re sarini, (që mbyt logjikën e masave, arsyetimin, besimin e vetërespektin për racën tonë), në estrada me klerikë e politikanë, pa asnjë vlerë dinjiteti njerëzor, teksa japin numra e aktrime fallse me lot krokodili për NJERIUN, të drejtat e tij, lirinë, jetën, fenë, pasurinë…

Para pamjes së fëmijëve lakuriqë, me sytë e shtangur drejt qiellit, kjo botë e sëmurë nuk vlen asnjë grosh! Katilët dhe mbrojtësit e këtyre kryqëzatave horrorizuese të njeriut; përtej feve, kulturave e botëkuptimeve, janë sot, faraonët e pabalsamosur të kësaj mesjete mjerane në zhvillimet e racës njerëzore!

Kjo është një arsye më shumë për të mos heshtur e për ta ngritur zërin me të madhe, se kjo botë e sëmurë e në lëngatë, ka nevojë urgjente për t’u kthyer nga Zoti dhe sheriati i Tij! Vetëm në rrugët e drejta të udhëzuara prej Tij, krijesa e Tij fisnike, (që sot, e ka poshtëruar e shëmtuar veten, larg udhëzimit hyjnor), mund të gjejë paqen, dinjitetin, drejtësinë, qytetërimin, vlerat, humanizmin!

Prandaj, ky shekull, detyrimisht duhet të jetë shekulli i Islamit, ose kjo botë rrugëton e sigurtë drejt hipokrizisë me vello politike e fetare, deri në dyert e kiametit!

“Nuk do të bëhet kiameti, derisa mbi tokë të ketë njerëz, që thonë: All-llah, All-llah!”, thoshte i Dërguari! Me fjalë te tjera: Zgjohuni, o muslimanë, se do jepni llogari edhe për këtë realitet katran të kësaj bote pa ndjenja! Zgjohuni dhe përhapni me dinjitet Bekimet që mbartin mësimet dhe udhëzimet e Fesë së Zotit!

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 4 prill 2017