Myftiu priti imamin e B.I.Shqiptare “Mërgimi”, Zvicër

Paraditen e së xhumasë, më 21 prill 2017, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, priti në një takim të përzemërt e vëllazëror, z. Festim Miftari, imam i Qendrës Islame Shqiptare "Mërgimi", në Affoltern am Albis, Zvicër.

Gjatë këtij takimi, Myftiu e njohu mikun e tij me aktivitetin dhe sfidat e Myftinisë Shkodër, sikurse e prezantoi me disa prej botimeve të saj ndër vite. Nga ana e tij, z. Festim Miftari falënderoi Myftiun për mikpritjen duke theksuar se emri i Myftinisë Shkodër është një emër që përmendet për vlerat dhe aktivitetin e vazhdueshëm, si dhe si një model për t'u ndjekur në rrugën e shërbimeve ndaj Thirrjes Islame. Myftiu dhe imami i Qendrës Islame Shqiptare "Mërgimi", falën së bashku namazin e xhumasë në xhaminë e Plumbit, me ç'rast, imami i nderuar drejtoi faljen e namazit të xhuma. Më pas, z. Festim Miftari zhvilloi edhe një intervistë për emisionin e përjavshëm të Myftinisë Shkodër në Radio "Jehona": "Ora e xhumasë", ku foli për aktivitetin e xhamisë "Mërgimi", për muslimanët shqiptarë në Zbicër dhe përhapjen e Islamit atje etj.