Në Krye-Bushat u përurua xhamia e re

Paraditën e së enjtes, më 18 maj 2017, në një atmosferë të mrekullueshme besimi, harmonie kombëtare dhe vëllazërie islame, u zhvillua ceremonia e inaugurimit të xhamisë së re në Krye-Bushat.

Ceremonia nisi me këndimin e një pjese kur'anore nga imami i xhamisë, Hafiz Shukri Kapllan.

Më pas, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, përhajroi të pranishmit për këtë xhami të re, të cilën e cilësoi si një sihariq hyjnor në prag të Muajit Ramazan.

Në fjalën e tij, Myftiu vuri theksin te domosdoshmëria që ka sot, ndërtimi i xhamive të reja si dhe përhapja e mësimeve të besimit, harmonisë dhe paqes sociale, si vlera të domosdoshme për ndërtimin e shoqërisë dhe përjetimin e harmonisë kombëtare dhe asaj njerëzore.

Myftiu falënderoi Fondacionin "Mirësia", drejtorin e saj, z. Korab Kaja, si dhe donatorin nga shteti mik i Kuvajtit, për përkujdesjen dhe ndjekjen me korrektësi të krejt proceseve të ndërtimit të xhamisë së re.

Kryetari i Bashkisë Vau-Dejës, z. Zef Hila, nëpërmjet urimit të tij, përgëzoi besimtarët e kësaj zone dhe premtoi se Bashkia Vau-Dejës do të sistemojë me shtrim e ndriçim edhe rrugën që shpie drejt xhamisë së re.

Nga ana e tij, z. Korab Kaja, pasi falënderoi bashkëpunimin e frutshëm me Myftininë e Shkodrës, shprehu vlerësimet e tij edhe për ekipin ndërtues, me në krye z. Ismet Fangaj, këshillin e xhamisë dhe krejt besimtarët e zonës.

Z. Kaja tha se nga ky moment xhamia e re mbetet amanet në duart e besimtarëve të kësaj zone, që kanë mundësinë ta shfrytëzojnë dhe të edukojnë fëmijët e tyre në kushtet e xhamisë së re.

Përshëndeti ceremoninë edhe Myftiu i Malësisë së Madhe, H. Edmir Smajlaj, kryetari i këshillit të xhamisë, z. Zyhdi Mustafa, si dhe imami i xhamisë, H. Shukri Kapllan.

Në shoqërinë e tekbireve u pre shiriti i përurimit si dhe u krye falja e namazit të mesditës me xhematë.

E gëzofshim xhaminë e re!