Iftar i veçantë në Shtëpinë e Fëmijës Shkodër

Ditën e 23-të të Ramazanit 1438, pikërisht më 18 qershor 2017, Myftinia Shkodër shtroi një iftar të veçantë në oborrin e Shtëpisë së Fëmijës Shkodër me fëmijët e kësaj qendre.

Në fjalën përshëndetëse të tij, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari falënderoi drejtorin e Shtëpisë së Fëmijës z. Gëzim Mahmutaj për gatishmërinë e tij për organizimin e këtij iftari të veçantë me këta fëmijë, stafin dhe të gjithë ata, që përkujdesen dhe i shërbejnë këtyre fëmijëve, të cilët fati i ka sjellë në këtë institucion.

Myftiu tha se Shkodra e ka në traditë bamirësinë dhe përkujdesjen ndaj shtresave në nevojë, sidomos ndaj asaj pjesë të shoqërisë, që ka nevojë më tepër se kushdo, siç janë fëmijët jetimë. Ndërkohë, Myftiu i bëri thirrje institucioneve qendrore dhe lokale, biznesmenëve dhe shoqatave bamirëse, të hedhin vështrimin e tyre nga kjo Shtëpi e të mos harrojnë për të kontribuar ndaj këtyre fëmijëve. Ai përmendi fjalën e Profetit Muhamed (a.s) se, kujdestarët e jetimëve do të jenë në xhenet me Pejgamberin (a.s).

Gjithashtu, Myftiu i premtoi drejtorit të Shtëpisë së Fëmijës se, Myftinia Shkodër, siç ka qenë edhe në të kaluarën, do të jetë në mbështetje të punës së tyre në shërbim të këtyre fëmijëve dhe do të kontribuojë me mundësitë e saj, por edhe me bashkëpunimin me partnerët e saj, për realizimin e projekteve të ndryshme, që bëjnë të mundur përmirësimin e jetës dhe kushteve të fëmijëve të kësaj qendre.