Inaugurohet minarja e xhamisë Bardhaj

Në një atmosferë të mrekullueshme besimi dhe vëllazërie islame, Myftinia Shkodër organizoi ditën e martë, më 20 qershor 2017 ceremoninë e inaugurimit të minares së xhamisë së fshatit Bardhaj.

Ceremonia ishte konceptuar si një Mbrëmje Fetare që nisi para iftarit dhe u mbyll me duanë e namazit të teravisë.

Ceremonia nisi me fjalën e falënderimit nga imami i xhamisë Bardhaj, z. Ilir Dizdari, i cili shprehu mirënjohjen e tij për krejt kontribuesit që ndër vite kanë dhënë nga pasuria e tyre për këtë xhami.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili uroi të pranishmit me rastin e kësaj mirësie me të cilën u plotësua xhamia e tyre.

Myftiu falënderoi motrën muslimane që u bë shkak për plotësimin e minares së xhamisë Bardhaj, duke theksuar se shembujt e bamirësisë janë të përhershëm në ymmetin islam.

Më pas ligjëroi teologu Ervil Kuçi, i cili hodhi dritë mbi vlerat e bamirësisë në islam. Ai tha se vlera e bamirësisë merr përmasat e vetë besimit në jetën e besimtarit.

Më pas, të pranishmit u bashkuan në iftarin e kësaj dite, që u pasua me lutjet e përbashkëta për pranim e bekim.

Ceremonia vazhdoi me shfaqjen e dokumentarit: “Triumfi i zanit të minareve”, ligjërata me temë: “Vlera e harmonisë islame”, nga Imam Muhamed B. Sytari, si dhe përshëndetja e teologut Lavdrim Hamja, imam i xhamisë së “Dy Vajzave”.

Pas ezanit të jacisë, u fal namazi i teravisë dhe lutjet e klsaj nate me vlerë.