Myftiu i Kosovës, Mr. Naim Tërnava, mbajti hytben e xhumasë në xhaminë e Parrucës

Me ftesë të Myftiut të Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, ditën e xhuma, më 10 nëntor 2017, hytbeja e javës në xhaminë e Parrucës u mbajt nga Myftiu i Republikës së Kosovës, Mr. Naim Tërnava.

Në kuadër të aktiviteteve në përkujtim të rilejimit me ligj të fesë në vendin tonë, pas 23 vitesh persekutimi dhe ndalimi të aktivitetit fetar në Shqipëri, kjo hytbe e shënuar kishte një vlerë të madhe për mesazhet e urta dhe largpamëse të Myftiut Tërnava.

Në hytben e tij para besimtarëve shkodranë, kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, ndër të tjera theksoi: “Ne jemi të irdhëruar që t’i qendrojmë besnikë fjalës së Zotit (xh.sh), që atë ta shtjellojmë, ta shpjegojmë, ta kumtojmë tek masa e gjerë, ashtu si na ka porositur i Madhi Zot, ashtu si na ka porositur Hz. Muhammedi (a.s), duke mos lejuar askë, që për interesa çfarëdo lloji qofshin, të ndikojë në interpretimin e fjalës së drejtë, jo drejtë dhe jo mirë!”

Pastaj, vijoi: “Islami është fé e paqes, është feja e ardhmërisë, është fé e bujarisë, është fé e sinqeritetit, është fé për individin, është fé e familjes, e shoqërisë, fé e cila respekton çdonjërin, pavarësisht se ku jeton, çfarë vepron! E shtrin dorën e bashkëpunimit me të gjithë, në çdo segment të jetës!”

Gjithashtu, duke iu referuar të parëve të shkuar, tha: “Të parët tanë, të nderuar vëllezër e motra, baballarët tanë, gjyshërit tanë, përkundër asaj që kanë vuajtur shumë, në zemrat e tyre kishin një besim të thellë në porositë e të Madhit Zot! Ata, përkundër asaj trysnie dhe asaj dhune të paparë ata e ruajtën besimin!

Me 16 nëntor 1990, Shkodra u rizgjua, Shkodra e mori veten, u bë simbol i tërë Shqipërisë!”

Ai falënderoi edhe popullin shkodran për pritjen që i bëri vëllezërve kosovarë në vitin 1999, me rastin e eksodit të dhimbshëm, si pasojë e agresionit serb ndaj popullatës shqiptare në trojet e tyre etnike.