Takim pune me imamë të qytetit

Ditën e mërkurë, më 7 dhjetor 2017, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, zhvilloi një takim pune me imamë të qytetit të Shkodrës, me të cilët diskutoi mbi disa tematika që lidhen me zhvillimet e aktivitetit fetar e social, zhvillimet e fundit në Kudsi Sherifë, vijimësinë e aktiviteteve me rastin e Mevludit Sherifë etj.

Fillimisht, Myftiu njoftoi imamët me qarkoren e KMSh-së për mbledhjen e fondeve dhe ndihmave të ndryshme për njerëzit në nevojë, që u përmbytën gjatë ditëve të fundit në disa zona të vendit.

Më pas, duke folur mbi vendin e lartë dhe shenjtërinë e Kudsi Sherifit në Palestinën martire, Myftiu kërkoi nga imamët që në hytben e ardhshme, të sensibilizohen besimtarët për gradën e lartë që ka kjo tokë e shenjtë dhe xhamia e saj shekullore në jetën e çdo muslimani, kudo në botë.

Myftiu tha, se mjafton t’i referohemi ajeteve kur’anore dhe haditheve të ndryshme për të kuptuar se çfarë pozite të madhnueshme i ka dhënë Zoti kësaj toke dhe çfarë vendi zë ajo tek çdo musliman.

Më pas, lajmëroi imamët se ditën e xhuma, më 8 dhjetor 2017, ora: 10.00, tek vakëfi shekullor i lagjes Draçin, do të zhvillohet ceremonia simbolike e gurthemelit të xhamisë së re.

Poashtu, bëri me dije se shumë shpejt do të nis një seri aktivitetesh me dobi në kuadër të përkujtimit të Lindjes së Resulull-llahut (a.s), mësimeve dhe traditave të tij.