Myftiu: “Islami, fé e mendjes dhe e udhëzimit të saj!”

Në hytben e dytë radhazi, gjatë ciklit disa javor në tefsirin e ajeteve të sures “El-Huxhurat”, të xhumanë, më 5 janar 2018, nga minberi i xhamisë së Plumbit, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, hodhi dritë mbi domosdoshmërinë e respektimit të Fjalës së All-llahut dhe ndalimit tek ajo.

Myftiu theksoi, se ajeti i parë i sures “El-Huxhurat” na udhëzon të respektojmë me përkushtim maksimal atë që na vjen nga Zoti i botëve, si kufi që nuk duhet prekur dhe urti që duhet reflektuar!

“Kohëve të fundit po përballemi me propaganda të shthurrura që nxisin rininë tonë të dyshojë në Zotin dhe besimin, në urdhëresat kur’anore dhe traditat e të Dërguarit (a.s). Përballë këtyre thirrjeve të djallëzuara, e kemi për detyrë të themi ca fjalë, që i nevojiten besimtarëve dhe rinisë në veçanti! Në Islam, jemi ftuar dhe urdhëruar të përdorim mendjen, të vështrojmë, të vëzhgojmë, të mendojmë e të meditojmë rreth çdo gjëje përreth nesh, duke nisur nga vetja e duke përfunduar në çdo detaj të kësaj natyre plot të papritura që na zbulohen ditë pas dite!

Ne muslimanët sot, nuk i kemi besuar realisht këto ajete, njëkohë që të tjerët thellohen e kërkojnë bazuar mbi thirrjen e tyre, (të cilën e dijnë mirë se është e shenjtë dhe vërtetë), ndërsa ne mbetemi shoqëri konsumatore, duke e ngushtuar vizionin mbi fenë dhe praktikimin e saj në jetë!?

Mos të gënjehet njeri nga thirrjet e misionarëve të ateizmit dhe afetarizmit, që nxisin largimin nga dyert e Kur’anit dhe Hz. Muhammedit (a.s), nëpërmjet nxitjes së dyshimeve a kritikave ndaj ajeteve dhe haditheve! Koha na ka vërtetuar se sa më shumë që jemi larguar nga feja e Zotit, aq më shumë kemi degraduar si shoqëri, derisa kemi mbërritur në këtë gjendje që jetojmë dhe dëshmojmë sot, në Shqipëri”, tha ndër të tjera Myftiu.

Ai dënoi gjithashtu të gjitha përpjekjet dhe propagandat degjeneruese, që po i fryejnë sot urrjetjes ndaj Islamit dhe muslimanëve në Shqipëri!