Nisi trajnimi periodik i imamëve të Myftinisë Shkodër

Ditën e mërkurë, më 21 mars 2018, në kuadër të trajnimit dhe kualifikimit të imamëve të Myftinisë Shkodër, me iniciativën e Myftiut dhe një grupi prej teologëve specializuar të Shkodrës, nisi mexhlisi i leximit dhe komentimit të librit me titull: "Çështje të fikhut sipas Kuduriut", në medh'hebin hanefi.

Ky trajnim i domosdoshëm për krejt imamët, përveç se një mexhlis dijeje dhe këshillimi me dobi, ka për qëllim leximin, komentimin dhe përsëritjen e çështjeve thelbësore të fesë që lidhen me adhurimet ditore dhe paqartësitë e ndryshme që lindin si pasojë e zhvillimit të shoqërisë.

Në takimin e ditës së sotme, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, theksoi se ky mexhlis ka një vlerë dhe dobi të madhe, pasi synon përhapjen e dijes së dobishme, ruajtjen e traditave shekullore në adhurim, si dhe kualifikimin e mëtejshëm të imamëve, si një proces i domosdoshëm në punën e vazhdueshme të prijësve tanë fetarë, që përherë kanë nevojë për organizime të tilla plot dobi për ta dhe komunitetin e besimtarëve.