E xhumaja historike te vakëfi i shenjtë i Tabakut

E xhumaja e datës 11 maj 2018 do të mbahet mend si një ngjarje historike për muslimanët e Shkodrës, në raport me rimëkëmbjen e vakëfeve të heshtura, mbi të cilat dikur ngriheshin xhami, që u shërbyen besimtarëve për dekada e shekuj, në rrugëtimin e tyre drejt fitimit të pëlqimit të All-llahut në jetën e kësaj bote.

Pikërisht ditën e sotme, pas një heshtjeje mbi 50 vjeçare, u këndua ezani i namazit të xhumasë mbi mbetjet e minares monumentale, mbi truallin vakëf të asaj që dikur ishte xhamia e Tabakut.

Medresisti Omer Fuqia me zërin e tij melodioz zgjoi emocione të mëdha dhe lot gëzimi tek besimtarët e pranishëm, kur lajmëroi hyrjen e kohës së mesditës me: “All-llahu ekber”, që mbuloi horizontet me bekim e mirësi.

Hytben e kësaj të xhumaje të parë pas shumë dekadash në këtë vend të shtrenjtë për muslimanët e Shkodrës, e mbajti Myftiu Imam Muhamed B. Sytari, i cili dha mesazhe të rëndësishme që përkojnë edhe me atmosferën e begatë të afrimit të Muajit Ramazan 1439.

Myftiu u lut për besimtarët dhe qytetarët e kësaj zone, për ata të Shkodrës, Shqipërisë dhe mbarë ymetit islam kudo në botë dhe uroi agjërim të mbarë për të gjithë.

Falja e kësaj të xhumaje në këtë vend, shënoi edhe fillimin e një marrëdhënieje të re të Myftinisë Shkodër dhe muslimanëve të saj me këtë vakëf të nëpërkëmbur ndër vite.