Xhamia e Perashit, këshilla të dobishme në prag të Ramazanit

Pasditën e së xhumasë, më 11 maj 2018, në oborrin e xhamisë së Perashit u organizua një aktivitet fetar, me këshilla dhe udhëzime të dobishme që i vlejnë besimtarëve në prag të Muajit Ramazan 1439.

Në emër të organizatorit, teologu Ervil Kuçi vuri theksin te rëndësia që kanë tubimet e tilla, që mbledhin besimtarët që duan të përfitojnë dhe që kanë mundësinë të hyjnë në atmosferën e Ramazanit, muajit të madh të mëshirës dhe faljes.

Aktivitetin e përshëndeti Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili nxiti të pranishmit për ta falënderuar Zotin e gjithësisë për udhëzimin në Islam, ku njeriu nuk e humbet asnjëherë shpresën dhe gjen përherë një prag ku të mbështetet, edhe në çastet më të vështira të jetës.

Më pas ligjëroi Myftiu i Malësisë së Madhe, H. Edmir Smajlaj, i cili dha disa këshilla të dobishme në kuadër të shfrytëzimit tëMuajit Ramazan, duke u përgatitur me pendim dhe lutje për pritjen e tij.

Myftiu i nderuar tha se Ramazani është miku më i shtrenjtë që viziton besimtarët në hapësirat e një viti kalendarik, prandaj është e udhës që ta presim si duhet këtë mysafir që vjen me mirësi dhe bekime nga All-llahu i Madhëruar.

Ligjëruan edhe imamët e nderuar, Adem Pizga dhe Ruzhdi Plangaj, të cilët dhanë udhëzime dhe këshilla të dobishme për shfrytëzimin e kohës në Ramazan, për kontrollimin e namazeve ditore, leximin e rregullt dhe të plotë të Kur’anit dhe shtimin e bamirësive, që na afrojnë përherë e më shumë me shpirtin e besimit dhe fesë islame.