“300 HADITHE”, libër me vlerë në shërbim të Traditës Profetike

Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari vjen me librin e tij më të ri: “300 Hadithe”. Ky libër me vlerë dhe shumë i çmuar për myslimanët shqiptar përmban 300 hadithe nga Tradita Profetike, të përzgjedhura me kujdes prej autorit në mesin e 10031 haditheve të veprës së madhe të Imam Sujutit: “El-Xhamius-Sagir”, siç e sqaron edhe vetë autori në parathënien e librit.

Dobia e kësaj vepre me 300 Hadithe në gjuhën shqipe, konsiston në faktin se përveç përkthimit korrekt dhe me shije të haditheve të Pejgamberit (a.s), autori i shoqëron ato me komente të vlefshme, që ia shtojnë edhe më tepër vlerën dhe dobinë këtij botimi.

Ndarja dhe grupimi i haditheve sipas tematikave të ndryshme i japin larmi librit dhe e bëjnë atë shumë të lehtë për t’u lexuar dhe për t’u mësuar. Gjithashtu, edhe faqosja e bukur e librit dhe me finesë krijojnë një përshpirtësi me Zotërinë e këtyre haditheve, Hz. Muhammedin (a.s).

Allahu i Madhëruar ia pranoftë autorit këtë vepër në shërbim të Sunetit të Pejgamberit (a.s) dhe i dhashtë mbarësi e sukses në punën e tij.

Lavdrim Hamja
Shkodër, 14 maj 2018