U promovua libri “300 HADITHE”

Ditën e hënë, më 21 maj 2018, Myftinia Shkodër organizoi ceremoninë e promovimit të botimit më të ri nga Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, me titull: “300 HADITHE”.

Ceremonia që u zhvillua në ambientet e Medresesë së vajzave, nisi me fjalën e rastit nga teologu Arben Halluni, i cili bëri një prezantim të shkurtër të këtij botimi të ri.

Ndërkohë, një analizë të shkoqitur trajtoi teologu Lavdrim Hamja. Në fjalën e tij, ai u ndal te rëndësia që ka ky botim për shtimin e njohurive të mëtejshme në raport me fjalën e të Dërguarit (a.s.) dhe mesazhet e urta që ato përmbajnë.

Referoi edhe shkrimtari Xhahid Bushati, i cili ndër të tjera theksoi: “Libri më i ri i titulluar “300 Hadithe”, përkthyer nga arabishtja, përshtatur në shqip dhe pajisur me shënime dhe komente nga Imam Muhamed B. Sytari, për kohën e ardhjes së botimit, mban dritën dhe aromën e ditëve dhe netëve të Ramazanit. Natyrisht kjo dritë dhe kjo aromë do të na shoqërojë gjatë, gërmë pas gërme, fjalë pas fjale, shprehje pas shprehjeje, fletë pas flete teksa do ta shfletojmë me kujdes… Është detyrë e jona, e përhershme, jo vetëm të trokasim në dyert e dijes së vërtetë, por ta përvetësojmë atë e ta vendosim pranë zemrës dhe shpirtit, duke e pyetur atë herëpashere në ecjen e udhëve të jetës…

Puna e lavdërueshme dhe serioze e përkthyesit Sytari për t’i sjellë këto vlera që shoqëria dhe koha jonë i kërkon domosdoshmërisht, na bën të mendojë se dimensioni i Hadithit nuk njeh moshë, nuk njeh mplakje. Ai është koherent dhe dritësjellës. Gjithashtu, përkthyesi me prijësinë e tij teologjike dhe me aftësinë profesionale të përkthimit, na bën të mendojë, se gërma, fjala, letra nuk harrohet, nuk zvetënohet, nuk pluhuroset. Dituria e vërtetë, morali i vërtetë, shërbesat e vërteta i kalojnë shekujt e kontinentet, udhëtojnë e udhëtojnë… siç po udhëton e do të udhëtojë ky libër…”

Ceremonia vijoi me fjalën e autorit, që ndër të tjera tha: “Bota e sotme përpëlitet në vorbulla të çuditshme, herë-herë të frikshme e në raste të tjera thuajse imponuese drejt një fryme zhgënjyese, rrethuar nga diktati prej të forti arrogant, dhunës dhe urrejtjes, racizmit dhe frikësimit të njerëzimit me termat e luftës dhe shkatërrimit, që janë përhapur gjithandej, si tentakulat e një oktapodi të egërsuar vrastar.
Gjithandej flitet për vlerat qytetëruese, për moralin dhe familjen, për besimin dhe sigurinë, për ekonomitë e forta dhe mirëqenien, për zhvillimin teknologjik dhe arritjet shkencore. Kjo është diçka e vlefshme dhe tepër inkurajuese për brezat e ri dhe të ardhmen e botës sonë.”

Më pas foli për shkakun që e ka nxitur drejt kësaj pune dhe u lut për mbarësi e bekime, për Shkodrën, Shqipërinë dhe mbarë botën.

Për të ftuarit u shtrua edhe iftari i kësaj dite, falë mbështetjes së Shoqatës “Istanbul” dhe Kryetarit të saj, z. Ridvan Seferaj.

Autori dhuroi librin e ri për të pranishmit, bashkë me dedikimet e rastit.