Mijëra kopje të Kur’anit në prag të Ramazanit 1437

Paraditën e të xhumasë, më 3 qershor 2016, Myftinia Shkodër në bashkëpunim me Qendrën Islame Shqiptare “El-Buhari”, Vjenë, ka bërë të mundur shpërndarjen e kopjeve të shumta të Kur’anit Famëlartë me përkthim të kuptimeve në gjuhën shqipe.

I pranishëm në “Çadrën e Ramazanit”, ka qenë edhe Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili ka vlerësuar se shpërndarja e përkthimit të Kur’anit në shqip, është një mundësi më shumë që qytetarët e Shkodrës ta lexojnë Fjalën e Zotit, ta kuptojnë atë dhe të marrin nga mirësia dhe vlerat e larta shpirtërore që burojnë prej saj.

Myftiu theksoi se aktiviteti i sotëm është i pari i një maratone të gjatë me aktivitete, tribuna, sofra bamirësie, iftare, emisione televizive, botime, promovime, vizita, takime, derse, adhurime, lutje e tubime, inaugurime, ndërtime të reja etj, me rastin e Muajit të Madhërueshëm të Ramazanit.

Ditën e sotme u shpërndanë edhe mijëra kalendarë të Ramazanit të sivjetshëm, broshura udhëzuese mbi rregullat e agjërimit, botim i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, broshura me disa porosi profetike etj.

Shpërndarja e Kur’anit do të vijojë edhe në ditët e Ramazanit në disa nga zonat muslimane të Shkodrës.

Me këtë rast, Myftinia Shkodër shpreh mirënjohjen e saj për Qendrën Islame Shqiptare “El-Buhari”, Vjenë dhe kontributin e saj për gjallërimin e vlerave të Thirrjes Islame në Shkodër.