“Allahu Ekber”, kryefjala e myslimanëve shkodranë në festën e Kurban Bajramit

Ditën e martë në mëngjes herët, më 21 gusht 2018, muslimanët shkodranë u mblodhën në sheshin e vakëfit të Fushë Çelës, bri xhamisë “Ebu Bekër”, ku Myftinia Shkodër tashmë e ka bërë traditë të kryejë ritualet e Kurban Bajramit.

Në këtë ditë të bekuar, organizohet një program i pasur me ligjërata të larmishme, ku besimtarët e shumtë të pranishëm, pasi falin së bashku namazin e sabahut, kanë mundësi të dëgjojnë prej imamëve dhe teologëve të Shkodrës. Programi i kësaj dite filloi me faljen e namazit të sabahut, i cili i drejtuar nga teologu Ervil Kuçi, imam i xhamisë së Dërgutit dhe pastaj vazhdoi me ligjëratat e mbajtura nga imamët e nderuar: Naim Drijaj – imam i xhamisë së Parrucës, Ruzhdi Plangaj – imam i xhamisë së Kirasit, Arben Halluni, përgjegjës i Arsimit pranë Myftinisë Shkodër dhe Lavdrim Hamja – imam i xhamisë së “Dy Vajzave”.

Përmes ligjërata të vlefshme, imamët e nderuar përcollën mesazhe të mrekullueshme rreth vlerave të besimit, Islamit, miralit, përkushtimit dhe zbatimit të drejtë të fesë në jetën e përditshme të besimtarit. Ata theksuan, se është shumë e nevojshme, që myslimani të zbatojë me rigorozitet parimet dhe mësimet islame, të cilat janë transmetuar nga i Dërguari i Allahut, Muhammedi (a.s).

Falja e namazit të Kurban Bajramit u drejtua nga imami i xhamisë së “Dy Vajzave”, teologu Lavdrim Hamja, ndërkohë hytbeja e Kurban Bajramit u mbajt nga imami i xhamisë së Parrucës, teologu Durim Kasemi.

Në fund, besimtarët e shumët, që morën pjesë në këtë festë të bekuar, uruan njëri-tjetrin, duke lutur Zotin (xh.sh) për mirësi e begati, në dynja dhe në ahiret.