Lebbejke..!

Shënime për librin “Lebbejke..!” të autorit Imam Muhamed B. Sytari, AIITC, Tiranë, 2018.

Këto ditë korpusit të veprave të Imam Muhamed B. Sytarit iu shtua botimi i një libri të ri, i titulluar “Lebbejke..!” Në udhëshkrimin e autorit Sytari, kjo vepër shënon numrin 22. Një bibliotekë që pasuron dijen islame dhe më gjerë! Një bibliotekë që gjithësekush do ta kishte lakmi. Një bibliotekë, ku si autor, shokët i ka të rrallë. Një bibliotekë që rrezaton mesazhe të rëndësishme për jetën dhe virtytet që duhet t’i mishërojë dhe t’i njëjtësojë njeriu në raport me veten, familjen, komshinjtë, komunitetin dhe realitetin që jeton. Nga kjo lëndë e bollshme diturore nuk bën përjashtim edhe botimi më i ri “Lebbejke..! Në këtë botim të ri profili i autorit Sytari, tashmë i formuar, vjen me një dimension të ri, që pa hezitim e me një konotacion modestie them, se autori ka hyrë me dinjitet në udhën e dijetarëve, që realisht i kemi të pakët. Për këtë autor-dijetar jemi fatlum! Lexojeni veprën e re “Lebbejke..!”, dhe do të më jepni të drejtë!

Gjatë shfletimit të çdo faqeje, emocionet dhe kujtimet ishin të pranishme dhe shëtisnin me mua. Kujtimet të shtrenjta dhe të paharruara, të cilët më falnin çaste të bukura sa jetike aq dhe poetike. Shumëçka më kujtonin… Më përmallonin, e pse jo dhe pse ta fsheh, edhe më falnin lot. Sepse, ca vite më parë pata riskun tim fatmirë e të ëndërruar, të bëja UMRE-në në Mekën e shenjtë dhe të bekuar. E si të mos t’i kujtosh ato ditë e net të qëndrimit tim që kishin ngjyrën dhe hapësirën e hyjnisë, dhe vetëm në ëndërr mund t’i shihje dhe t’i jetoje ato, ku dita ishte mrekulli dhe gjumi nuk ekzistonte si gjumë. Doja të shihja e të dija çdo gjë, doja të vizatoja me sytë e mi çdo gjë, doja çdo gjë ta strehoja në shpirtin tim si gurë të çmueshëm. Që kur të mbërrija në tokën dhe qiellin e Vendlindjes sime, të nisja bisedën me magjitë e Mekës, bisedë që vazhdon edhe sot e kësaj dite për çmueshmërinë e qëndrimit tim në atë vend të çmueshëm. Ja, që për mua ato ditë e net, që nuk janë asnjëherë të largëta, nuk plaken kurrë në shpirtin tim, që në shumë vite ishin ëndërr, tani janë e përgjithmonë realitet. Për ato ditë të paharruara, autori Sytari shkroi një libër, që po ta lexoni me kujdes, do të ndjeni se dashuria, malli, afria nuk kanë dimension. Vetë libri, po të shprehemi metaforikisht ishte një ‘MEKË’ dashurie me selame pafund, apo siç thotë autori: “E dua pa kushte këtë vend..!”. Teksa po lexoja librin “Lebbejke..!” m’u kujtuan ato ditë-net të papërsëritshme, këndova me zë shpirti ca vargje nga poezia “Qabja e madhnueshme” me autor babain tim, Hysniun, m’u kujtua libri “Dëshmitar në sahar… (2013), dhe meditova për t’i risjellë sadopak ato çaste që e bënë jetën time të lumtur. “Lebbejke..!” – e përsërita në Meke, e përsëris gjatë leximit të librit, do ta përsëris edhe pas leximit të këtij libri-dijetar, të këtij libri, që vetë titulli është një simbolikë universale. Dhe me një universalitet të gjithëkohshëm, në shumë plane, me shtresa e nënshtesa paraqitur si retrospektivë e kohësi, shfaqet Madhështorja e Madhështive – Meka, siç thotë autori Sytari: “Veshur me të bardha, të gjithë rendin drejt teje, në kërkim të një drite, që jetës i jep kuptime udhëzimi… Zoti të bëri shenjë, zemrat drejt saj i ftoi, në kërkimet tona të udhëzuara drejt një Dashnie, që jetës kuptim i jep… Me sy e zemër nga Qabja e Madhnueshme, krejt thirrën me bindje: “Lebbejke!”.”

-pjesa e dytë-

2.
Si çdo libër, edhe “Lebbejke..!” ka veçoritë e tij, veçori që e bëjnë të përveçëm. Dhe të përveçmet, që janë konstatuar gjatë studimit tim të librit në fjalë, janë:

*Historia është e pranishme dhe lëviz në shumëforshmërinë e saj në kohë, vend dhe hapësira, me shenja vitesh e datash që s’duhen harruar, me porosi, me urtësi dijetarësh e filozofësh, me ngjarje e rrëfime.

*Personazhet mbartin histori dhe drama. Ata rrëfejnë… copëza historish vetiake dhe familjare e më gjerë, amanete të kthyera në testament që kanë udhëtuar e udhëtojnë edhe sot e kësaj dite si vlera e si aktualitet. Personazhet për vlerat që mbartin janë modele sa vetiake aq dhe shoqërore, në mos popullore; modele që duhen përqafuar e që Shkodra krenohet, Shqipëria krenohet e Meka krenohet.

*Ngjarjet, bindjet, filozofitë etj., gjejnë pasqyrim në gërshetim vitesh, kohërash dhe shekujsh.

*Kronika e paraqitur dhe e rrëfyer ka besnikëri kohore, fytyrë reale dhe të besueshme.

*Në përcjelljen e ideve dhe të mesazheve, forca e argumentit, e shoqëruar me një biobibliografi të pasur e deri një farë mase shterruese që i është qasur nga ana e autorit si studiues, ka vlera të patjetërsueshme dhe bindëse, të një rruge të drejtë e plot virtyte.

*Elementet poetike që shfaqen në secilin kapitull, janë fllade mirësie brenda hapësirës së librit, të cilat janë të lidhura me stilin ligjërimor të autorit, stil që të fal kënaqësi estetike, kjo “e përkthyer” në të bukurën e në të madhërishmen.

*Kujtimet si pjesë e të rrëfyerit të lëndës u ngjajnë përmendoreve, atyre përmendoreve që kanë diturinë si përjetësi, si përfaqësim, si mos-harrim e kujtesë.

*Marrëdhënia e autorit si Thirrës Islam me çdo ind të këtij qyteti të shenjtë, ka vlerë pasaporte deri në frymën e fundit e përtej saj. “Ka njëzet vjet që më ka thirrë Qabja… I lumi unë!”

Që të gjitha këto veçori që përmenda më lart e, që sigurisht ka edhe të tjera, si vatër e ngrohtë dashurie e mikpritëse e si substancë i përbashkon, ky fragment i nxjerrë nga libri që ilustron fjalët vatër e substancë. Autori shprehet: “Të gjithë e duam këtë vend! Të gjithëve na bën për vete. Këtu ndryshojnë oraret e jetës. Dita dhe nata, nën komandën e ezanit dhe namazeve, tavafit dhe lutjes, marrin tjetër dimension.

Njerëzit në këtë vend ndjehen të plotësuar, të ndriçuar, të mbushur me besim dhe shpresë, të gatshëm për të dhënë më të mirën e tyre në çdo ditë të jetuar me bekim e mëshirë nga Zoti Mëshirëbërës!

Janë më bamirës, më altruistë, më bashkëpunuae në të mira, më ndihmëtarë, më të qeshur, më të gatshëm për të thënë fjalën e mirë, më pranë njerëzve në nevojë, më të ruajtur!

Këtu, të gjithëve u kalon në zemër ndjesia e bukur e shprehjes së bashkëmoshatarit tim shqiptar: “I lumi unë..!” dhe, pa asnjë dyshim, ajo ngelet dëshmi sinqeriteti dhe arritjeje në besim!”

-vijon-

Xhahid Bushati

Shkodër, dhjetor 2018