Një mbrëmje e begatë fetare në xhaminë e Tophanës

Ditën e enjte, më 31 janar 2019, Myftinia Shkodër organizoi në xhaminë e Tophanës një tribunë fetare me temë: “Të afruarit me All-llahun, si ta kuptojmë?”.

Në krye të herës, Myftiu kërkoi nga të pranishmit që të lexojnë një “Fatiha” për shpirtin e komandantin legjendar, Hasan Riza Pasha, i cili u martirizua më 30 janar 1913 në Shkodër, në një kohë që Shkodra ishte rrethuar nga fqinjtë malazezë.

Sipas programit, ligjërata e parë u mbajt nga Myftiu i Zonës Shkodër, Imam Muhamed B. Sytari, që hodhi dritë mbi tre elementët kryesorë, që ndikojnë në rregullimin e rrugëtimit të besimtarit drejt lartësimit në marrëdhënie me Zotin e tij.

Besimi, përkushtimi dhe sinqeriteti i zemrës, u përcaktuan nga Myftiu si boshti kryesor i ekuilibrit që duhet të dëshmojë besimtari në jetën e tij, për të fituar dashurinë dhe përkujdesjen e All-llahut të Madhëruar.

Aktiviteti vijoi me ligjëratën e imamit të nderuar të xhamisë së “Dy Vajzave”, teologut Lavdrim Hamja.

Në fjalën e tij, imami u përqendrua tek rëndësia që kanë adhurimet e përgjitshme në lartësimin e besimtarit në jetë.

Ai tha se sinqeriteti i zemrës është elementi kryesor që ndikon në saktësinë e dëshmimit si musliman i përkushtuar në jetë.

Njëkohësisht u ndal tek realitetet e përditshme me të cilat përballet besimtari në jetën e tij dhe rolin e madh që kanë adhurimet, sidomos namazi, në arritjen e paqes së brendshme dhe begatisë në jetë.

Aktiviteti vijoi me bashkëbisedimin e ngrohtë në shoqërinë e hurmave të Medines, si dhe faljen e namazit të jacisë me xhematë në xhaminë e “Dy Vajzave”.