Në ndihmë të njerëzve të izoluar te Muri i turkut

Ditën e hënë, më 4 shkurt 2019, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i shoqëruar edhe nga aktivistë të Myftinisë, vizitoi banorët e izoluar tek Muri i turkut.

Gjatë vizitës së tij, Myftiu u interesua për gjendjen e 20 banorëve të një familjeje të madhe atje, të cilët jetojnë në mjerim e skamje të madhe, të izoluar nga zona e Postribës dhe qyteti i Shkodrës.

Përtej ndihmave paraprake, Myftiu diskutoi edhe mundësinë e një ndihmese sistematike për këta banorë, në mënyrë që të lehtësohet sadopak gjendja e keqe ku ndodhen, pa asnjë pension a përkrahje ekonomike, pa punë të qëndrueshme e të ardhura.

Myftinia Shkodër është angazhuar, që në bashkëpunim me disa shoqata, institucione e bamirës pranë saj, të evidentojë raste të tilla të familjeve në nevojë, me qëllim ardhjen në ndihmë dhe gjetjen e rrugëve për tejkalimin e pragut të varfërisë ekstreme.