Myftiu: “Gjynahet e mëdha, prag humnerash për racën njerëzore!”

“Këto 70 e ca gjynahe të mëdha janë prag humnerash për racën njerëzore. Edhe një hap dhe njeriu bie në humnerë dhe humbet këtë botë, këtë jetë dhe jetën e përtejme!

Këto janë thirrje për secilin prej nesh dhe për shoqërinë tonë, për t’u distancuar prej këtyre veprave, sepse veprimi i tyre e prish racën njerëzore! Se veprimi i tyre e prish jetën mbi tokë! Se veprimi i tyre sjell mallkim dhe largim nga mëshira e All-llahut të Madhëruar!”

Me këto fjalë e ka nisur këshillë e kësaj jave nga minberi i xhamisë së “Dy Vajzave”, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, të xhumanë e 8 shkurtit 2019.

Myftiu u ndal edhe tek gjynahu i madh i lënies së adhurimeve që përbëjnë shtyllat kryesore të Islamit, ku ndër të tjera përmendi: “Shqiptarët e dijnë shumë mirë se çfarë pasojash ka mosdhënia e zekatit! … Prishja e ditës së Ramazanit pa justifikim e pa tolerim, siç shumë njerëz thonë: Musliman jam! Me u falë nuk falen, zekat nuk japin, në haxh nuk shkojnë, alkoolin e konsumojnë, ndonjë gjë tjetër e veprojnë dhe kur vjen dita e Ramazanit, thotë: Jo, unë nuk agjëroj, po musliman jam! Çfarë muslimani, çfarë muslimani?!”

Në hytben e kësaj xhumaje, Myftiu foli edhe për krimin e madh të vjedhjes së vakëfit dhe xhamive, duke theksuar se ngritja e zërit kundër këtij krimi të shëmtuar është detyrim moral e kombëtar, përtej thirrjes së besimit!

Gjithashtu, Myftiu iu referua edhe reklamimit në masë të imoralitetit, sidomos në media, heqjes së perdes së turpit dhe përpjekjeve për të legjitimuar çdo ves e prapësi, si të drejtë e çështje që lidhet me lirinë e individit dhe të shoqërisë.

Kjo është hytbeja e dytë e një serie ligjëratash, që Myftiu po mban, duke tërhequr vëmendjen e shoqërisë për t’u distancuar nga gjynahet e mëdha dhe veprat, që e shkatërrojnë jetën e njeriut dhe harmoninë e të jetuarit në paqe me Zotin, botën e tjetrin.