Myftiu vizitoi Fondacionin “Mirësia”

Ditën e enjte, më 4 prill 2019, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i shoqëruar edhe nga teologu Lavdrim Hamja, zhvilloi një vizitë në selinë e Fondacionit “Mirësia”, ku u prit nga drejtori i tij, z. Korab Kaja, me bashkëpunëtorë.

Gjatë takimit të përzemërt dhe vëllazëror, Myftiu shprehu mirënjohjen e tij dhe të Myftinisë Shkodër për bashkëpunimin dypalësh, si rezultat i të cilit, në harkun e 10 viteve të fundit, në Shkodër janë ndërtuar disa xhami dhe qendra kulturore të reja, si dhe vazhdon puna për disa të tjera.

Myftiu vlerësoi se, detyra e institucioneve është gjetja e rrugëve të bashkëpunimit, për çështje me interes të përbashkët, si: ndërtimi i xhamive të reja me kushte bashkëkohore, zëvendësimi i disa prej xhamive të mëdha me projekte të reja të mirëstudiuara dhe të pajisura me qendra islame, libroteka, salla konferencash, mensash sociale, salla sporti e dyqane, që mbështesin edhe aktivitetin ekonomik të jetës fetare e kulturore.

Poashtu u vlerësua angazhimi i madh kundrejt një numri të madh jetimësh, që mbështeten në vazhdimësi, si dhe projektet e shumta në ndihmë ndaj familjeve në nevojë.

Nga ana e tij, z. Korab Kaja, falënderoi Myftiun për këtë vizitë, sikurse shprehu gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimet e dobishme në interes të bashkësisë islame në Shkodër dhe vlerave që ajo rrezaton në shoqëri.