Nis pastrimi i vakëfit të zaptuar në Oblikë

Ditën e enjte, më 11 prill 2019, nisi pastrimi i vakëfit të shenjtë në fshatin Oblikë. Lirimi i vakëfit vjen pas marrëveshjes me banorët vendas, të cilët ishin të vetëdijshëm që vakëfi bri xhamisë duhej liruar, edhe për shkak të rrënojave që e kishin shëmtuar prej kohësh një prej segmenteve kryesore të Anës së Malit.

Myftinia Shkodër e ndërmori këtë aksion, pas komunikimit me banorët dhe marrëveshjes për të mirën e xhamisë dhe komunitetit.

Mbetet që edhe një pjesë e vakëfit të zënë padrejtësisht, të lirohet, në mënyrë që kompleksi i ri islam i Anës së Malit; xhamia e re dhe qendra kulturore, të marrin frymë dhe të mundësohet përurimi i tyre, për të mirën e krejt komunitetit.

Myftinia Shkodër falënderon banorët anamalas për bashkëpunimin dhe lutet që xhamia dhe qendra e re islame të mbushet me të rinj, që presin me padurim inaugurimin dhe vënien në funksion të tyre!