Lutja e Hatmes së Kur’anit tejmbush xhaminë e Parrucës

Ditën e xhuma, më 1 korrik 2016, Myftinia Shkodër organizoi ceremoninë e lutjes së Hatmes Sherife, në prag të Natës së Kadrit.

Aktiviteti, që mblodhi shumë besimtarë në sofrën e Kur'anit Famëlartë, nisi me një këshillë fetare nga teologu Lavdrim Hamja, imam i xhamisë së "Dy Vajzave".

Në fjalën e tij, imami i nderuar tha se leximi i Kur'anit është traditë profetike dhe një angazhim që na mban të lidhur përherë me shpirtin e besimit dhe praktikimin e tij.

Më pas Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari falënderoi imamët e angazhuar me leximin e krejt Kur'anit, gjatë ditëve të këtij Ramazani. Ai falënderoi në mënyrë të veçantë dy hafizët nga Turqia, që ishin shembulli i imamit të përkushtuar, sisomos në leximin e Kur'anit dhe drejtimin e namazeve të teravisë.

Myftiu ftoi të pranishmit dhe përtej tyre që ta lexojnë Kur'anin dhe ta gjallërojnë jetën me dritën e tij.

Aktiviteti kulmoi me leximin e njëzet sureve të fundit të kësaj Hatmeje Sherife, që u mbyll me lutjen e gjatë në gjuhën shqipe nga Myftiu i Shkodrës.

Të pranishmit u lutën për besimin, mirëqenien, harmoninë dhe vëllazërinë në mesin e muslimanëve, forcimin e muslimanëve në realitetet shqiptare dhe pranimin e adhurimeve, agjërimit, namazeve, sadekave etj.

Aktivitetet e Natës së Kadrit do të vazhdojnë edhe këtë mbrëmje, pas namazit të jacisë e deri në prag të syfyrit, në xhaminë e Parrucës dhe në të gjitha xhamitë e Shkodrës.