H. Fejzi Zaganjori, njeriu i pajtimit dhe i harmonisë..!

Pasditën e së enjtes, më 8 prill 2021, faltorja e Rusit ishte tejmbushur si asnjëherë tjetër më parë!

Besimtarë të shumtë nga çdo cep i qytetit, kishin ardhur për të marrë pjesë në xhenazen e të dashurit e të respektuarit Haxhi Fejzi Zaganjori, që u nda nga jeta në orët e para të kësaj dite, në moshën 76 vjeçare.

Qytetarë të shumtë shkodranë, por edhe të ardhur nga Tirana, Dibra, Durrësi, Kopliku, etj., ishin aty së bashku për të bërë nderimet e fundit në prag të përcjelljes së imamit e vaizit të shquar të Rusit, Shkodrës e përtej!

Imamllarë, myftilerë, intelektualë, studiues, pedagogë, drejtues të shoqatave, prijës të komuniteteve fetare të Shkodrës, miq e dashamirë të Haxhi Fejzi Zaganjorit, ishin dorë për dore, duke dëshmuar mrekullinë e mozaikut të vlerave të harmonisë e bashkëjetesës, afrimit e bashkimit, në të mirë e në të keq, që na forcon edhe më shumë si popull e si komb i qytetëruar!

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Prefektja e Qarkut Shkodër, Kryetarja e Bashkisë Shkodër, drejtues të partive politike shqiptare, instituteve islame, brenda vendit dhe jashtë tij, dërguan mesazhe ngushëllimi, duke shprehur dhimbjen për lajmin e ndërrimit jetë të kolegut, mikut e bashkëpunëtorit të zellshëm, Haxhi Fejzi Zaganjori!

Nuk është e vështirë të kërkosh për kontributet e zotnisë së tij, sidomos në tridhjetë vitet e fundit të jetës së tij.

Emisione radiofonike, shkrime e kronika, analiza e studime, pjesëmarrje aktive në pajtimin kombëtar, prijës elokuent e karizmatik në krye të burrave të urtë, muslimanë e të krishterë, në përpjekje dorë për dore, për afruar e paqtuar njerëz në hasmëri të vjetra e të reja, hatib e vaiz i paharruar, antar i këshillit të përgjithshëm të KMSh-së ndër vite, sekretar i Këshillit të Myftinisë Shkodër e “Mirënjohja e Bashkisë Shkodër”, janë disa shenja dalluese në jetëshkrimin e burrit të urtë e fjalëmirë, H. Fejzi Zaganjori!

U largua nga kjo botë me pengun e mospërfundimit të hatmes së Kuranit për muajin Shaban, që i paraprin Ramazanit Mubarek, në të cilin, për çdo vit ai me xhematin e nderuar të xhamisë së Rusit, nuk e lanë pas dore traditën shekullore të Hatmes Sherife!

U largua, pasi mori abdes dhe i kaloi çastet e fundit të vetëdijes normale me namaz e lutje drejtuar Atij që na e ka falur jetën për të lënë gjurmë drite, mirësie, udhëzime e paqeje, që patjetër i gjejmë të panumërta në jetën dhe aktivitetin e të dashtunit tonë!

Allahu i Madhëruar ta pranoftë sakrificën, heshtjen e urtë dhe fjalën guximtare, hytbet e zjarrta e mesazhet largpamëse, nxitjen për paqtim e harmoni, e mbi të gjitha besnikërinë ndaj shpirtit të traditës e vlerave islame e atyre kombëtare!

Dhe, siç na ngushëlloi edhe i nderuari Dr. Salahudin Keftaro, nga Damasku i Sirisë së vlerave dhe qyterimeve: “Të mëshiroftë Allahu, i nderuar hoxhë dhe inxhinier Fejzi Zaganjori!

Allahu të dhashtë postin e fatlumëve në jetën e përtejme!

E ndjeja besimin tuaj, forcën e vullnetit, dashurinë, sinqeritetin dhe xhelozinë tuaj për fenë dhe shërbimet tuaja për atdheun tuaj!

Të gjithë ne do të shkojmë një ditë, dhe unë i lutem Allahut që të takohemi me të dashurit tanë dhe me ju tek Kroi i Resulullahut (a.s), nën flamurin e Zotërisë së të Dërguarve!

I lutem Allahut që trashëgimtarët tuaj, prej të afërmve dhe të rinjve, të vazhdojnë rrugën tuaj, që të gëzoheni me frutet e veprës që i kushtuat jetën!”.

Mirë u pjekshim në Ma të Mirin Vend, i dashtuni Haxhi Fejzi Zaganjori!

Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

Shkodër, më 9 prill 2021