Imamët e Shkodrës, ligjërime kundër degradimit moral e shoqëror

Në takimin e zhvilluar ditën e enjte, më 24 qershor 2021, me imamë të Myftinisë Shkodër, Myftiu Imam Muhamed B. Sytari, tërhoqi vëmendjen drejt domosdoshmërisë së shfrytëzimit të hytbes së xhumasë për të ngritur alarmin rreth fenomeneve degraduese të tabanit tonë kombëtar, përhapjes së dhunshme të injorancës, idhujtarisë moderne, imoralitetit e korrupsionit, mungesës së sigurisë dhe shthurrjes, tentakulat e së cilës po përhapen frikshëm ditë pas dite dhe pa asnjë lloj filtri a konsiderate!

Myftiu tha se duke nisur nga dita e xhuma, më 25 qershor 2021, në të gjitha minberet e Shkodrës të flitet rreth tematikave të kthimit nga Zoti dhe feja e Tij, drejt pendimit dhe moralit, distancimit nga e keqja dhe ndërtimi i jetës mbi bazat e besimit, ndershmërisë, pastërtisë e moralit.

Në këtë takim Myftiu ngriti edhe disa tematika që lidhen me aktivitetin e xhamive, afrimin e rinisë dhe brezit të ri, si dhe domosdoshmërinë e ruajtjes së ekuilibrave në bashkësinë tonë islame.

Në takim ishte i pranishëm edhe Imam Didmar Faja, Kryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar në Arizona, i cili iu drejtua imamëve me një këshillë të urtë e plot dobi.