Mesazh i Myftiut të Shkodrës, me rastin e fillimit të vitit të ri hixhri 1443

Të dashur besimtarë!

Në jetën e njeriut ka momente, në të cilat vlen reflektimi dhe bërja e llogarive, për të parë se ku ishim e ku jemi, për të planifikuar se çfarë duam e çfarë na duhet për të ardhmen e afërt e atë të largët.

Pa dyshim, fillimi i vitit të ri hixhri, ndryshe përkujtimi i hixhretit, është një ndër këto momente të mrekullueshme, që na mbajnë të lidhur me identitetin dhe cakun tonë, vlerësimin e tyre dhe respektimin e vetes për besimin dhe shenjtërinë e tij, mbi të cilin nuk ka as duhet të jetë asgjë, për asnjë shkak e për asnjë arsye!

Hixhreti, largimi i Resulullahut (paqja qoftë mbi të), nga vendlindja drejt Medines së Ndriçuar, pas 13 vitesh të ngarkuara me sakrificë e përkushtim, dashuri e dhimbje, punë e palodhur e angazhime, është një ngjarje, që siç e kanë shkruar dijetarët tanë: “ka ndryshuar rrjedhat e historisë së njerëzimit”!

Që do të thotë se sikur plani i idhujtarëve beduinë të ishte realizuar me sukses dhe i Dërguari i Zotit të ishte eliminuar fizikisht, bota nuk do të përfshihej në atë revolucion të pashembullt shpirtëror e moral, intelektual e zhvillimor, që i ndryshoi botës rrjedhën e jetës, duke e nxjerrë nga errësirat e idhujtarisë, kthetrat e bestytnive, prapambetja intelektuale, zullumet e mesjetës, luftrat e dhunshme e padrejtësitë e përhapura nga mungesa e ekuilibrave dhe humbja e busullës!

Falë hixhretit, bota mësoi të vlerësojë jetën, të respektojë lirinë e përzgjedhjes, të dënojë devijimin dhe prishjen e ekuilibrave të natyrës së pastër në të cilën na krijoi Zoti, të vlerësojë mendjen dhe aftësitë e fituara, të ketë mëshirën parim jete, të mos pranojë skllavërinë e vasalitetin, të jetojë me nder e krenari, të sakrifikojë për të mirën e ta konsiderojë përkushtimin për të ndërtuar jetën xhihad të shenjtë, të zhvillojë ura komunikimi me tjetrin në barazi e dinjitet, të ruajë fenë, jetën, mendjen, nderin e pasurinë, si pesë shenjtëri, për të cilat nuk bëhet kompromis as kalohet kufiri i tolerancës!

Falë hixhretit, mësuam të duam për tjetrin atë që duam për veten, të respektojmë urdhëresat hyjnore e të kemi mëshirë për krijesat e Zotit, të edukojmë fëmijët tanë me dashninë e Zotit, jo me tekat e devijuara të diktuesve të së keqes, të ndërtojmë të sotmen me dritën e besimit e largpamësinë e tij, jo me agjendat e shkatërruesve të jetës e tërheqjes së njerëzimit drejt greminave të degjenerimit, sëmundjeve, krimit, drogës, hutimit e mpirjes së mendjes!

Falë hixhretit, mësuam të ruajmë ekuilibrat e traditave, tabanit, dijes, dinjitetit të atyre që na mësuan e baballarëve kryelartë, si dhe të mos nënshtrohemi para sektarëve e hizmetqarëve të devijuar, që thërrasin drejt një fetarizmi pa jetë, pa ngjyrë, pa shije; që krijon një bashkësi e komunitet pa dinjitet, pa krenari, pa bosht moral e pa vizion për të ardhmen!

Ju ftoj me zemër ta lexojmë hixhretin si një mrekulli, që na mban të lidhur përherë e më shumë pas krenarisë e dinjitetit tonë, Islamit tonë, me të cilin, Krijuesi i gjithësisë na nxori nga errësirat në dritë, nga poshtërimi në krenari!

1443, qoftë vit i mbarë e plot sihariqe për mbarë njerëzinë!

Imam Muhamed B. Sytari

Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, 8 gusht 2021