
Imami shqiptar i Shtutgartit: “Kjo fé nuk përhapet me dhunë!”
Në kuadër të aktiviteteve të larmishme, që Myftinia Shkodër po realizon në atmosferën e begatë të 35 vjetorit të rimëkëmbjes së Thirrjes Islame në qytetin e Shkodrës, me ftesë të Myftiut, Imam Muhamed B. Sytari, ditën e xhuma, më 23 maj 2025, i ftuar për të mbajtur hytben e xhumasë para besimtarëve muslimanë të Shkodrës, ishte i nderuari, H. Rexhep ef. Sulejmani, imami i Qendrës Islame Shqiptare në Shtutgart të Gjermanisë.
Gjatë hytbes së tij, imami i nderuar u ndal te disa mesazhe me vlerë për të sotmen dhe të ardhmen e shoqërisë islame, rinisë në veçanti. Ndër të tjera ai theksoi, se: “Kjo fé nuk përhapet me dhunë! Sot kemi shumë Hasanë e Hysenë, Hatixhe e Fatime, por sa jemi muslimanë të shëndoshë?” – tha ndër të tjera ai.
Më pas, vuri theksin te rëndësia që ka besimi në jetën e individit, ku ndër të tjera theksoi: “Me dobësimin e imanit shfaqen fenomene negative të dëmshme në shoqëri”. Poashtu ai vuri theksin te domosdoshmëria e të qenurit të matur në fé, ku ndër të tjera tha: “Duhet të distancohemi nga nxitimi në adhurim dhe duhet të jemi të qëndrueshëm e të thjeshtë në jetën e përditshme”.
Ai tha: “Nuk ka gjë më të mirë se sa përhapja e Islamit nëpërmjet moralit të dëshmuar, pra ta mbajmë moralin e Islamit dhe të jemi të palëkundur në këtë drejtim duke u bërë dëshmitar të vlerave islame në përditshmërinë tonë, me vepra më shumë se sa me fjalë”.
Mesazhet e hytbes së kësaj xhumaje u regjistruan edhe nga mediat lokale të Shkodrës, të cilat i bënë jehonë hytbes së xhumasë të mbajtur në këtë ditë të begatë nga imami i Qendrës Islame Shqiptare në Shtutgart të Gjermanisë, H. Rexhep Sulejmani.