Kurban Bajrami, moment për t’u ndarë nga përkatësitë iluzive që njeriun e mbajnë të lidhur pas mirazheve të rreme!

Mesazhi i Myftiut të Shkodrës me rastin e Kurban Bajramit 1447/2026

Kurban Bajrami, moment për t’u ndarë nga përkatësitë iluzive që njeriun e mbajnë të lidhur pas mirazheve të rreme!

Të dashur dhe të shtrenjtë motra dhe vëllezër besimtarë,

Sot është dita e begatë e Arefatit, më e mira ditë e vitit. Ditë në të cilën Zoti i gjithësisë sheh me mëshirën e Tij, me bujarinë dhe me faljen e Tij të pakufishme vëllezërit dhe motrat tanë në fushën e Arefatit! Na sheh të gjithëve ne në përkushtimin dhe angazhimin tonë për të qëndruar besnikë drejt thirrjes së Kur’anit Famëlartë dhe mësimeve të Pejgamberit (alejhis-selam).

Sot është dita, kur të gjithë ne bashkërisht thërrasim me të madhe se nuk ka zot tjetër përveç Allahut. Sot është dita, kur thërrasim me të madhe “Allahu Ekber” për të dëbuar errësirat e shejtanit të mallkuar nga jeta jonë e përditshme.

Sot është momenti për t’u ndarë nga përkatësitë iluzive që njeriun e mbajnë të lidhur pas mirazheve të rreme që e bëjnë rob e skllav të shejtanit të mallkuar. Sot është dita, kur nuk është parë ndonjëherë shejtani më i poshtëruar përpara gjithësisë, sepse njerëzit me të madhe thërrasin se nuk ka zot tjetër përveç Allahut Fuqiplotë!

Sot është momenti që të gjithë ne të shohim në familjet tona, në rrethet tona shoqërore, në realitetin ku jetojmë për të bërë mirë, për të ndërtuar të mirën, për t’u ndarë nga e keqja, për ta ndaluar të keqen, për të mos lejuar që tentakulat e shejtanit të përhapen gjithandej në familjet tona, në realitetet tona, në shoqërinë tonë. Sepse në fund të fundit, njeriu ka ardhur në këtë botë me një mision të shenjtë, për ta ndërtuar jetën, për ta zhvilluar atë, por mbi bazat e asaj çfarë Zoti i gjithësisë do nga gjithsecili prej nesh, jo mbi bazat e asaj që shejtani i mallkuar thërret dhe frymëzon pasuesit e tij moment pas momenti e ditë pas dite.

Të dashur dhe të shtrenjtë,

Nesër është dita e Kurban Bajramit, një ditë e madhe feste për muslimanët e mbarë globit. Një ditë në të cilën jemi të ftuar që të shohim në familjet tona, në shoqërinë tonë, në realitetet tona, për të shtrirë duart e pajtimit e të harmonisë, për të dëbuar të keqen dhe për ta bërë lanet shejtanin, për t’u parë gëzimi në fytyrat tona e mbi të gjitha, për të gëzuar zemrat tona me besimin në Zotin Një e për t’u afruar moment pas momenti e kohë pas kohe me dritën e Tij e për të shkuar pas udhëzimit të Tij, që jetës sonë i jep kuptimet e vërteta të fjalës Jetë!

Ju uroj me zemër dhe lutem që Allahu Fuqiplotë ta bekojë Shkodrën tonë, banorët e saj dhe të na falë mëshirë dhe paqtim për të jetuar në harmoni dhe vëllazëri me njëri-tjetrin dhe për ta shijuar mirësinë e besimit sa të jemi në këtë botë ne dhe fëmijët tanë deri në ditën e fundit.

Allahu ju dashtë dhe ju begatoftë!

Me zemër të mirë Kurban Bajramin!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër