Myftiu i Shkodrës: “Fesadi i pushteteve me vakëfet në Shkodër!”
Nëpërmjet dersit të ditës së xhuma, mbajtur në xhaminë e Parrucës, më 26 shtator 2025, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, trajtoi tefsirin e ajetit 41 të sures Er-Rum, ku Allahu i Madhëruar thotë: “Për shkak të veprave (të këqija) të njerëzve, janë shfaqur në tokë e në det të zeza (bela, skamje, katastrofa, humbje e bereqetit etj.), e për ta përjetuar ata një pjesë të kësaj të keqeje që e bënë, ashtu që tërhiqen (nga të këqijat)”
Përmes tesfirit të këtij ajeti fisnik, ai trajtoi përhapjen e fesadit dhe shkatërrimit, që është përhapur gjithandej për shkak të veprave dhe veseve të këqija, që njerëzit i veprojnë, duke mos u ndalur te asnjë kufi ndershmërie, parimi apo të drejte njerëzore.
Gjatë ligjëratës së tretë të tefsirit të këtij ajeti, ndër të tjera, Myftiu u ndal edhe tek fenomeni i tjetërsimit të pronave vakëf dhe dëmin e madh që shkakton ky veprim në shoqëri.
Ndër të tjera Myftiu tha: “Fesadi ndahet në dy pjesë, në fesad material dhe fesad shoqëror… Fesadi është kur ti jeton në një vend dhe prej aty ku duhet të dalë drejtësia del zhvatja, prej aty ku duhet të dalë mirëkuptimi del grabitja, prej aty ku duhet të kërkosh drejtë tënde dhe ku duhesh të marrësh pronën tënde, të marrësh të drejtën tënde të shenjtë që ta ka dhënë Zotit, e për të cilën edhe po të vritesh je shehid tek Allahu i Madhëruar, ta grabisin, ta tjetërsojnë, ia japin dikujt të pamunduarit, edhe kështu nisë edhe gangrena e fesadit e përfshinë realitetin ku ne jetojmë.
Një qytet, që Allahu i Madhëruar e ka begatuar me mirësi pafund, mirëpo që dora e femohuesit, e dora e idhujtarit, e dora e njeriut të pafe, të pa dinë e të pa iman, e të pa moral kombëtar e pa virtyt kombëtar, e merr dhe e kthen krejt këtë tablo të mirësisë hyjnore në një tablo të grabitjes, në një tablo të shëmtuar, e cila nuk ka asnjë lloj vlere, por përtej kësaj e shëmton edhe tablonë e mirësive dhe bekimeve hyjnore.
Ne e kemi ngritur zërin me të madhe pranë të gjitha institucioneve… Të bësh atë, që është me e denja për vakëfin tënd, ti je fisnik, edhe ti je faqebardhë. E kemi ngritur zërin në të gjitha institucionet, e kemi ngritur zërin tek qeveria, e kemi ngritur zërin tek të gjitha qeveritë, tek të gjitha gjykatat, në Strasburg, edhe jemi përpara këtij fakti, që gjithsesi është i barabartë me fjalën ‘fesad’.
I ngrati ai, që vjedh pronën e tjetrit, nuk ka për t’i pasur bereqet, as në dynja e as në ahiret. Le t’ia firmosë presidenti i botës, kryeministri i botës, asnjë lloj bereqeti nuk ka prona e grabitur, asnjë lloj begatie ajo çfarë i ke grabitur tjetrit. Ka për të të ngelur në fyt ty, fëmijëve tuaj, nipërve tuaj dhe gjithë atyre që përfshihen, qoftë edhe me një heshtje, a me një lëvizje koke pa fjalë!”
Mesazhit të Myftiut i bënë jehonë edhe mediat lokale, por jo vetëm, që publikuan mesazhet e tij në rrjetet e tyre sociale.
Ligjëratën e plotë të mbajtur nga Myftiu i Shkodrës e gjeni në linkun e mëposhtëm.
