Myftiu mbajti hytben e xhumasë në xhaminë e Kalasë së Drishtit

Myftiu mbajti hytben e xhumasë në xhaminë e Kalasë së Drishtit

Myftiu mbajti hytben e xhumasë në xhaminë e Kalasë së Drishtit

Në kuadër të një programi të posaçëm për gjallërimin e jetës fetare në xhaminë e Kalasë së Drishtit, nisi cikli i ri i ligjëratave të ditës së xhuma për periudhën 17 prill – 29 maj 2026.

Sipas programit të afishuar dhe të shpërndarë nga Myftinia Shkodër, ditën e xhuma, më 17 prill 2026, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, mbajti hytben e kësaj jave duke vënë theksin tek rëndësia që ka ruajtja e sigurisë, shëndetit dhe mirëqenies në jetën e përditshme të muslimanit dhe shoqërisë në përgjithësi, si tri shtylla të rëndësishme të qytetërimit islam dhe zhvillimi të jetës mbi bazat e udhëzimit dhe besimit islam.

Në hytben e tij, Myftiu i Shkodrës, ndër të tjera tha: “Të dashur dhe të shtrenjtë motra dhe vëllezër, në këtë xhami të bukur e të hershme të Kalasë së Drishtit, një vend i cili ka një gjurmë të shënuar në historinë tonë kombëtare, e ku Islami prej shekujsh e shekujsh ka gjetur vend, e ku historikisht zona e Kalasë së Drishtit kanë qenë dhe vazhdon të jetë 100% me përkatësi islame.

Edhe ajo që të bën me u ndjerë krenar është se nga momenti i parë kur ti shkel në këtë vend ti e ndjen prekjen e gjurmëve të historisë përtej realiteteve të zymta, me të cilat përballet sot kjo zonë thuajse e izoluar dhe e braktisur, jo shumë larg qytetit të Shkodrës.

Përtej këtij realiteti, nga momenti i parë që shkel tek dera e kalasë dhe vazhdon të vish në drejtim të xhamisë e të takohesh me banorët e këtij vendi, në çdo gur e në çdo cep, ti e ndjen prekjen e Islamit dhe erën e mirë të gjurmës nuranite të burrave të urtë e grave fisnike e sojnike të kësaj zone e të këtij vendi ndër shekuj.

Mos t’ju duket e çuditshme, sepse besimtari me punën e tij, me kontributin e tij, me angazhimin e tij dhe me përkushtimin e tij; edhe kur largohet nga kjo botë e lë gjurmën e dritës..!”

Myftiu zhvilloi një bashkëbisedim të ngrohtë dhe vëllazëror me besimtarët e pranishëm, si dhe imamin dhe kujdestarin e përkushtuar të kësaj xhamie, H. Isa Muhaj, sikurse shprehu mirënjohjen dhe falënderimet e tij më të thella dhe të Myftinisë Shkodër për shërbimet e imamit, myezinit dhe të gjithë besimtarëve që frekuentojnë këtë xhami.

Vlen të theksohet se banorët e Kalasë së Drishtit janë 100% muslimanë dhe ndër shekuj e kanë trashëguar besimin dhe fenë e tyre, duke ruajtur traditat dhe cilësitë më të vyera të besimit dhe fesë islame.

Sot në Kalanë e Drishtit jetojnë rreth 7 familje me rreth 20 pjestarë, prej 320 të tillë që ishin kohë më parë.

Sikurse theksoi edhe Myftiu në hytben e xhumasë, zona e Kalasë së Drishtit mbetet një zonë e izoluar, e nëpërkëmbur dhe e neglizhuar nga pushtetet e 35 viteve të fundit.

Më poshtë, linku i hytbes së Myftiut: