Mbrëmjen e së shtunës, më 11 korrik 2020, në vazhdën e ciklit të ri të ligjëratave me temë: “Xhamia na mbledh, drita e All-llahut na udhëzon!”, u mbajt ligjërata me temë: “Modeli i rinisë në Kur’an”, nga Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari.
Në ligjëratën e mbajtur pas namazit të akshamit, Myftiu falënderoi fillimisht imamin e xhamisë, H. Ervis Molla, për angazhimin e tij plot përkushtim ndaj xhematit, xhamisë dhe në mënyrë të veçantë djemve dhe vajzave që frekuentojnë kurset e vazhdueshme fetare në këtë xhami.
Myftiu foli edhe për rëndësinë që ka shoqëria e mirë e xhamisë, lidhja pas saj dhe forcimi në besim dhe Islam, për të garantuar një shoqëri vlerash.
Më pas, u ndal tek tefsiri i ajeteve të para të sures “El-Kehf”, ku theksoi se muslimani i ri duhet të marrë si shembull jete të rinjtë e Shpellës, që me besimin e tyre, me kurajon dhe vendosmërinë e dëshmuar, u bënë shembulli më i mirë për brezat e ardhshëm.
Ai tha se këta të rinj nuk u thyen asnjëherë përballë paragjykimit, injorancës, pengesave të shumta në shoqërinë e tyre, por qëndruan dhe nuk hoqën dorë nga besimi, derisa Zoti i gjithësisë i bëri shembull udhëzimi për ne deri në ditën e fundit.
Për kënaqësinë e të pranishëmve në këtë ligjëratë, vajzat e kursit të xhamisë së Barbullushit kënduan një ilahi të bukur.
Cikli i ri i ligjëratave javore do të vijojë edhe në xhami të tjera të qytetit dhe fshatit.