Mirënjohje dhe vlerësim për imamët tanë!
Ditën e martë, më 3 nëntor 2026, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, thirri në një takim vëllazëror imamët dhe teologët e nderuar H. Arben Halluni, H. Idmir Plaku, H. Gilman Kazazi, H. Ardit Ulqinaku dhe muezinin e xhamisë “Ebu Bekër”, z. Ermal Dibra.
Në qendër të këtij takimi ishte lajmërimi për qarkullimin e imamit të nderuar, H. Gilman Kazazi, nga imam i dytë i xhamisë “Ebu Bekër” në imam-hatib në xhaminë e Draçinit, pas kërkesës së përsëritur nga i nderuari për të shërbyer në këtë xhami.
Myftiu lajmëroi njëkohësisht se i nderuari, H. Ardit Ulqinaku do të shërbejë si imam-hatib i dytë i xhamisë “Ebu Bekër”.
Myftiu vuri theksin te rëndësia që ka ruajtja e vlerave të trashëgimisë islame, pasurimi i tyre, mbrojtja e tabanit dhe gjallërimi i jetës fetare në të gjitha xhamitë e Shkodrës, veçanërisht në xhaminë “Ebu Bekër”.
U vlerësua kontributi i imamëve të nderuar, H. Idmir Plaku dhe H. Gilman Kazazi, si dhe u vu theksi tek domosdoshmëria e rishikimit të programit të plotë të aktiviteteve në xhaminë qendrore të qytetit të Shkodrës.
Në këtë takim të përzemërt u fol edhe për rëndësinë që ka hapja e kurseve fetare për fëmijët dhe për krejt grupmoshat e tjera, me qëllim përhapjen përherë e më tepër të mësimeve të Kuranit Famëlartë, besimit të pastër dhe trashëgimisë islame.
Nga ana e tyre, imamët e nderuar, H. Idmir Plaku, H. Gilman Kazazi dhe H. Ardit Ulqinaku shprehën falënderimet dhe mirënjohjen e tyre për Myftininë e Shkodrës dhe gatishmërinë për të shërbyer me përkushtim të lartë në të gjitha xhamitë e qytetit dhe të fshatit, sipas nevojave të institucionit.
Myftinia Shkodër vlerëson maksimalisht kontributin e të gjithë imamëve tanë, të cilët me përkushtim të dëshmuar kontribuojnë ditë pas dite në ruajtjen e vlerave të trashëgimisë islame dhe punojnë me zemër të madhe për përhapjen e dritës së pashuar të thirrjes islame në çdo vend ku ata shërbejnë.