Myftiu Sytari: “Haxhi, mundësi e ripërtëritjes së ymetit islam!”

Myftiu Sytari: “Haxhi, mundësi e ripërtëritjes së ymetit islam!”

Ditën e xhuma, më 18 shtator 2026, në të gjitha xhamitë e Shkodrës, u dhanë udhëzime për fillimin e regjistrimeve për Haxhin e vitit 2027.

Nga minberi i xhamisë së Tophanës, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, dënoi në krye të herës, përpjekjet e djallëzuara për goditjen e Vendeve të Shenjta, gjatë ditëve të kaluara.

Myftiu bëri një krahasim me përpjekjet e dështuara të Ebrehesë, shekuj më parë dhe theksoi se nuk ka forcë në botë, sado e madhe të duket në pamje të parë, që mund t’i rezistojë ebabilëve, me të cilët, Krijuesi mposht përherë cënuesit e vendeve të shenjta.

Më pas, Myftiu lajmëroi për fillimin e regjistrimeve  për Haxhin e vitit 2027, ku theksoi se, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka lajmëruar zyrtarisht për hapjen e këtij sezoni të ri të Haxhit të vitit të ri, që mbetet përherë një mundësi e përvitshme për ripërtëritjen e ymetit islam.

Gjatë hytbes së tij, Myftiu Sytari foli edhe për dobitë dhe veçoritë e ujit Zemzem, duke u bazuar në hadithet e ndryshme dhe një studim mbi vlerat e pakrahasueshme që e dallojnë Zemzemin mbi krejt ujërat e botës.