Ditën e shtunë, më 26 gusht 2017, Myftinia Shkodër, përmes sektorit të arsimit organizoi një aktivitet veror në kompleksin sportiv “Zmijani”, ku mblodhi nxënës të disa mejtepe fetare që zhvillohen pranë xhamive të Shkodrës.
Në këtë aktivitet argëtues morën pjesë 350 nxënës, si dhe mësuesit e tyre, përfaqësues nga Myftinia, etj.
Drejtori i arsimit, pranë Myftinisë Shkodër, teologu Arben Halluni në fjalën hapëse dhe përshëndetëse i uroj mirëseardhjen të gjithë nxënësve, dukë u përcjellë mesazhe për brumosjen e vazhdueshme dhe permanente në besimin tek Zoti (xh.sh), respektimin e parimeve të tij, pajisjen me moral të shëndoshtë dhe përhapjen e modelit të mirë të dashurisë dhe harmonisë.
Ndër të tjera, ai theksoi se Islami është gjithëpërfshirës, preket në çdo aspekt, siç është edhe rasti i sotëm i argëtimit, zbavitjes dhe shijimit të jetës në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të lejueshme.
Në vazhdim të programit, nën drejtimin e mësuesve të edukimit fizik, nxënësit zhvilluan lojëra të ndryshme sportive dhe argëtuese si: futboll, volejboll, basketboll, tenis, lojëra të ndryshme zbavitëse, si dhe nuk munguan bashkëbisedime në mes nxënësve të ndarë në grupe të ndryshme.
Myftinia Shkodër falënderon të gjithë imamët dhe mësuesit e këtyre kurseve fetare pranë xhamive të qytetit dhe të fshatit për përkushtimin e tyre maksimal në edukimin e brezit të ri me edukatën dhe moralin e bukur të Islamit, për të qenë njerëz të dobishëm për vendin dhe shoqërinë.