Ndodhia e Israsë dhe Miraxhit, mrekullia e rimëkëmbjes së përjetshme!

Ndodhia e Israsë dhe Miraxhit, mrekullia e rimëkëmbjes së përjetshme!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

Në simbolikën e saj, ndodhia e Israsë dhe Miraxhit, detajet e së cilës janë të panumërta dhe gjithëpërfshirëse, nëpërmjet dëshmimit të saj në dy suret e zbritura në këtë përshpirtësi; sureja “El-Isra” dhe sureja “En-Nexhm”; dëshmon se “Muhamedi (a.s) është i dërguar i dy kibleve, imami i dy lindjeve dhe i dy perëndimeve, trashëgimtari i të dërguarve para tij, prijësi i brezave pas tij! Pasi, në personalitetin e Hz. Muhamedit (a.s), mbrëmjen e Israsë, u takua Meka me Kudsin, Bejtul-Harami me Mesxhidi Aksanë. Aty, të dërguarit u falën pas tij, duke sinjalizuar kështu universalizmin e dërgesës së tij hyjnore, përjetësimin e imamatit të tij, humanizmin e mësimeve të tij dhe përshtatshmërinë e tyre me gjithë ndryshimet e vendit dhe kohës”.[1]

Israja dhe Miraxhi erdhën si përforcim i Hz. Muhammedit (a.s) në rrugën e tij të mundimshme të Thirrjes, në edukimin e brezave me dritën e udhëzimit hyjnor dhe begatitë e fesë së Allahut; ISLAMIT!

Atë natë, zemra e tij u mbush pafundësisht me dritën e pashuar të mbështetjes hyjnore, tamam si atë ditë, kur melekët i hapën gjoksin dhe ia mbushën me nurin e besimit dhe dashninë e Zotit!

Atë natë, iu dhurua amaneti më i shtrenjtë dhe garancia e përjetshme e lidhjes së qiellit me tokën dhe anasjelltas; namazi i pesë kohëve ditore!

Atë natë, u vulos mirësia dhe u derdhën bekime pafund për Pejgamberin tonë dhe ymetin islam, deri në ditën e kiametit!

Atë natë, teksa kthehej me pesë namazet e ditës, si rrugë e pambyllur drejt kërkimit të mëshirës dhe Dritës së Zotit në jetën tonë, fjalët e Krijuesit, ishin ngulitur thellë në zemrën e tij (a.s), do ua thoshte më pas edhe sahabëve dhe mbarë botës: “O Muhamed, këto janë pesë namaze, për çdo ditë dhe natë. Secili namaz do të shumëzohet me dhjetë, pra pesëdhjetë namaze…”[4]

Sa bukur e shkruan Hoxha i jonë, Shejh Vehbi Sulejman Gavoçi, se ai burrë i madh, që “një vit më parë, fëmijët e Taifit, qenë rreshtuar në të dy anët e rrugës dhe me gurë në duar, qëllonin këmbët e tij (a.s), teksa largohej prej aty për në vendin e vet, sot, pas një viti, po i rreshtoheshin Pejgamberët (a.s), atje në Kuds, me dhjetra të dërguar, të cilët po e prisnin me gëzim dhe donin të faleshin pas tij…”[2]

Teksa lexojmë në historinë e Ibn Hishamit, mbi mrekullinë e Israsë dhe Miraxhit, sipas transmetimit të Ibn Mes’udit (r.a), vëmendja përqendrohet edhe tek kthimi i Resulullahut (a.s.) nga takimi i tij me Zotin e botëve, ku u obligua me faljen e 50 namazeve ditore.

Thotë Resulullahu (a.s): “Dhe u ktheva. Kur kalova pranë Musait, të birit të Imranit, miku juaj i dashur, më pyeti se sa namaze m’u obliguan. I thashë: “Pesëdhjetë namaze ditore.” (Musai) Tha: “Namazi është i rëndë dhe ymeti yt janë të dobët, prandaj kthehu tek Zoti yt dhe kërkoji lehtësim për vete dhe për ymetin tënd!”

U ktheva tek Zoti im dhe i kërkova lehtësim për vete dhe për ymetin tim. Më lehtësoi me dhjetë (namaze). U largova dhe kalova pranë Musait, i cili më tha të njëjtat fjalë dhe u ktheva sërish tek Zoti im. Më lehtësoi me dhjetë të tjera. Sërish u ktheva dhe më tha të njëjtat fjalë. U ktheva tek Zoti im, që më lehtësoi edhe me dhjetë të tjera, deri sa përfundoi në pesë namaze. Pastaj u ktheva tek Musai, i cili më kërkoi sërish të kthehem tek Zoti im dhe të kërkoj lehtësim. I thashë: Jam kthyer disa herë tek Zoti im dhe më ka lehtësuar, sa më erdhi turp prej Tij. Nuk kthehem më!”[3]

Këto pesë namaze, ndonëse u lehtësuan nga pesëdhjetë të tilla në origjinën e obligueshmërisë, por ato do ta kenë shpërblimin e dhjetëfishuar tek Allahu i Madhëruar, që tha: “O Muhamed, këto janë pesë namaze, për çdo ditë dhe natë. Secili namaz do të shumëzohet me dhjetë, pra pesëdhjetë namaze…”[4]

Është një mrekulli hyjnore që na fton drejt forcimit në bindjen dhe besimin tonë, drejt optimizmit të pathyeshëm dhe forcimit të vullneteve për ta dëshmuar fetarizmin tonë në jetë, pa ndrojtje dhe plot dinjitet!

Israja dhe Miraxhi, mbeten dy stacione të mrekullueshme, nëpërmjet të cilëve zemra e muslimanit forcohet përballë sfidave dhe komploteve bashkëkohore, duke u lartësuar në pozitën e të pathyeshmit, qëndrestarit dhe ndërtuesit të urave lidhëse ndërmjet realiteteve të jetuara dhe lartësive të vlerave të besimit dhe Njësimit të Krijuesit të gjithësisë, të Cilit i falemi pesë herë në ditë, si një besëlidhje që ripërtërihet për të na mbajtur përherë të gjallë e krenarë!

________________________________________________________

[1] Transmetuar nga Imam Buhariu, nga Enes ibn Malik (r.a) dhe Malik ibn Sa’sa’ (r.a).

[2] Vehbi Sulejman Gavoçi, “Muhammedi alejhisselam – Jeta dhe vepra”, LOGOS-A, Shkup, 2011, f. 117.

[3] Ibn Hisham, “Es-siretun-nebevije”, botimi i 4-t, Bejrut, 1999, vëll. II, f. 37-38.

[4] Transmetuar nga Imam Buhariu, nga Enes ibn Malik (r.a) dhe Malik ibn Sa’sa’ (r.a).

[1] Es-Sejid Ebul-Hasen Ali El-Haseni En-Nedvi, “Es-siretun-nebevije”, botimi i 12-të, Damask, 2004, f. 218-219.