“A ka Natë Kadri për të zhyturit në gjynahe?”

“A ka Natë Kadri për të zhyturit në gjynahe?”

Ditën e xhuma, më 13 mars 2026, nëpërmjet minberit të xhamisë së Parrucës, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, iu drejtua besimtarëve me mesazhe shprese dhe mëshira, me të cilat Allahu i Madhëruar e ka bekuar ymetin e Hz. Pejgamberit (a.s).

Gjatë hytbes së xhumasë, Myftiu Sytari u ndal tek mëshira dhe falja e pakufishme e Allahut të Madhëruar për robërit e Tij, në këtë Muaj të Begatë të Ramazanit, si dhe tek bamirësitë e shumta dhe solidariteti me njerëzit në nevojë.

Myftiu tha, se: “Kemi parë dhe kemi dëshmuar falë Allahut  të Madhëruar, bamirësinë e njerëzve të ndryshëm për të bërë mirë, për të ndihmuar nevojtarët, për të qenë me njerëzit skamnorë, për t’i ardhur në ndihmë atyre që ndoshta nuk e kanë mundësinë as për një iftar dhe të gjithë në një mënyrë apo një tjetër janë gëzuar dhe janë shënuar në këtë Muaj të Begatë të Ramazanit!”

Myftiu theksoi se, falja dhe mëshira e Allahut në këtë Muaj, sidomos në 10 ditët e fundit të ti, në të cilat tashmë kemi hyrë dhe Ramazanit po i afrohet fundi, janë të pakufishme dhe përfshin shumë prej robërve të Allahut të Madhëruar: “Mendoni vetëm për pak se sa mëshirë e madhe është derdh për mbarë njerëzimin dhe për besimtarët në veçanti në Natën e Kadrit e në këto 10 net të ngelura të këtij Muaji të Begatë të Ramazanit. E thuaj në këto ditë të ngelura, sepse po shkojmë në javën e fundit, e xhumanë e ardhshme hytbeja do të jetë hytbe e Bajramit dhe jo hytbe Ramazanit.

Mendoni vetëm për pak hadithin e Pejgamberit (a.s), i cili thotë: ‘Ai i cili e kalon Natën e Kadrit duke u falë dhe duke u lut, atij do t’i falen të gjitha gjynahet e shkuara!’

Allahu Ekber. Çfarë është kjo mëshirë e madhe? Çfarë është kjo falje e madhe? Është Madhëria e Tij (xh.sh), i Cili do të na tregojë se ne jemi nevojtarë për mëshirën e Zotit tonë dhe se dyert e mëshirës së Allahut nuk i mbyllen asnjëherë njeriut!”

Kliko në linkun e mëposhtëm për të ndjekur të plotë hytben e Myftiut: