“Hz. Muhammedi (a.s), dritë udhëzimi për gjithësinë!” – aktivitet me rastin e Mevludit Sherifë

“Hz. Muhammedi (a.s), dritë udhëzimi për gjithësinë!” – aktivitet me rastin e Mevludit Sherifë

Ditën e enjte, më 21 shtator 2023, me rastin e Mevludit Sherifë, Myftinia Shkodër organizoi në xhaminë e Medresesë tribunën me temë: “Hz. Muhammedi (a.s), dritë udhëzimi për gjithësinë!”, ku i ftuar special i këtij aktiviteti ishte Imam Didmar Faja, Imam i United Islamic Center of Arizona dhe kryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar të Arizonës – ShBA.

Aktivitetin e hapi teologu Gëzim Dunga, nëndrejtor për lëndët fetare në Medrese.

Më pas përshëndeti, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili vuri theksin te rëndësia e të qenurit medresist dhe roli i tyre në shoqëri, duke u prezantuar si muslimanë të denjë, me moralin, urtësinë, dijen, pjekurinë dhe qëndrueshmërinë e tyre në rrugën e ndritur të besimit islam.

Fjalën kryesore e mbajti Imam Didmar Faja, i cili në ligjëratën e tij hodhi dritë mbi rëndësinë e pasimit të traditës së të Dërguarit të Allahut dhe se atë duhet ta përkujtojmë dhe ta ndjekim gjatë gjithë jetës sonë, megjithëse në këtë muaj, duhet ta njohim më tepër Pejgamberin (a.s), veçanërisht përmes tribunave dhe aktiviteteve të ndryshme, që organizohen brenda muajit Rebiul-Evvel, muajit të Lindjes së Begatë të Hz. Muhammedit (a.s).

Imam Faja iu drejtua nxënësve të Medresesë edhe me një mesazh të rëndësishëm për ta, duke u kujtuar atyre se të jesh medresist është nder dhe se që nga hapja e kësaj shkolle dhe deri më sot, medresistët e Shkodrës kanë lënë gjurmë të mira kudo që kanë shkuar dhe janë ndjerë krenarë me lidhjen e tyre me Medresenë.

Përpara aktivitetit, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari dha një mesazh të rëndësishëm përpara mediave, me rastin e Ditës Botërore të Paqes.