Program fetare-artistik për mbylljen me sukses të mejtepit veror në Ganjollë
Pasditën e së enjtes, më 21 shtator 2023, Myftinia Shkodër, përmes sektorit të arsimit zhvilloi një program fetaro-artistik për mbylljen e kursit/mejtepit veror në xhaminë e Ganjollës.
Krahas 36 nxënësve, merrnin pjesë drejtues të Myftinisë, imamë, prindër, besimtarë, të rinj të reja etj.
Aktiviteti filloi me lexim nga Kur’ani Famëlartë dhe më pas përfaqësuesi i Myftinisë, drejtuesi i arsimit, teologu Arben Halluni mbajti një fjalë përshëndetëse, ku u përqendrua në rëndësinë dhe vlerën që ka organizimi i mejtepeve fetare pranë xhamive dhe për misionin që ato mbartin si përçimin te brezi i ri të mësimeve të vërteta fetare, edukatën islame që duhet të ketë çdo besimtar dhe frymën e mirë paqësore që duhet të karakterizojë çdo njeri në marrëdhëniet me të gjithë njerëzit dhe krijesat e Zotit Fuqiplotë.
Programi vijoi më recitime, mesazhe, pjesë me vjersha, ilahi dhe prezantim të disa temave besimore dhe edukative, të prezantuar nga nxënësit e mejtepit dhe të përgatitur nga imami i xhamisë së Ganjollës, Erion Hasmegaj.
Në fund, u zhvillua ceremonia e shpërndarjes së 36 certifikatave dhe dhuratave për nxënësit e dy xhamive Ganjollë dhe Mjedë që marrën pjesë në kursin intensiv veror.
Ky aktivitet përkoi në prag të përkujtimit të Mevludit Sherif, Ditëlindjes së Begatë të Pejgamberit Muhammed (a.s), si dhe në kudër të 15 vjetorit të rinovimit dhe rikonstruksionit të xhamisë Ganjollë.