Mevludi, ditë gëzimi dhe momente festive me nxënës dhe të rinj në xhaminë e Oblikës

Mevludi, ditë gëzimi dhe momente festive me nxënës dhe të rinj në xhaminë e Oblikës

Paraditën e së shtunës, më 7 tetor 2023, në vazhdën e aktiviteteve dhe tubimeve me rastin e përkujtimit të Lindjes së Begatë të Hz. Muhammedit (a.s), Myftinia Shkodër, organizoi një aktivitet festiv në xhaminë e fshatit Oblikë, ku morën pjesë nxënës të disa xhamive, si dhe besimtarë të zonës.

Leximi i disa pjesëve kur’anore, recitimet e përzgjedhura të nxënëseve të dashura të xhamisë, ilahi dhe mesazhe të shumta ishin pjesë e këtij tubimi me vlerë.

I pranishëm ishte edhe Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili iu drejtua pjesëmarrësve me një fjalë të përzemërt, nëpërmjet së cilës kërkoi që tradita e tubimeve për Mevludi Sherifin, mos të shuhet, por të ruhet me fanatizëm si një urë lidhëse me breznitë e shkuara, që e dëshmuan dashninë dhe përkushtimin e tyre ndaj Hz. Muhammedit (a.s), edhe nëpërmjet këtyre tubimeve, njësoj si sahabët dhe ata që i pasuan.

Myftiu tha se rinia e sotme dhe fëmijët në veçanti, kanë nevojë për shembullin e mëshirës së Hz. Muhammedit (a.s) për ta dhe shoqërinë, për të shpëtuar nga kthetrat e idhujtarive bashkëkohore, padijes, shthurjes dhe devijimit.

Aktiviteti u përshëndet edhe nga teologu Arben Halluni dhe imami i xhamisë Shirq-Mushan, i nderuari Hoxhe Kujtim Cufaj.

Në shoqërinë e ilahive dhe salavateve, aktiviteti vijoi në lulishten e xhamisë, ku nën drejtimin e përgjegjëses së Qendrës Kulturore të xhamisë Oblikë, mësueses Kimete Sylja Elezi dhe vajzave të përkushtuara të kësaj qendre, u dhuruan disa botime me vlerë dhe lojra argëtuese për pjesëmarrësit.