Inspektim punimeve për Qendrën Kulturore në Mjedë dhe xhaminë në Domën
Paraditën e së mërkurës, më 4 nëntor 2026, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i shoqëruar edhe nga Drejtori i Fondacionit “Mirësia”, z. Korab Kaja dhe administratori i Myftinisë Shkodër, z. Saimir Dritareti, zhvilloi një inspektim të punimeve për projektin e Qendrës së re Kulturore në Mjedë dhe ato për rehabilitimin e xhamisë së fshatit Domën, Njësia Administrative Postribë.
Myftiu vlerësoi kontributin e madh të Fondacionit “Mirësia” dhe z. Korab Kaja, në drejtim të pasurimit të hartës së vakëfeve të Myftinisë Shkodër me xhami dhe qendra të reja kulturore ndër vite.
Qendra e re Kulturore në Mjedë, mbi vakëfin e xhamisë së vjetër, pritet të shërbejë për pasurimin e aktivitetit fetar, kulturor e social të zonës, duke e pasuruar atë në këtë drejtim.
Nga ana tjetër, pas shfaqjes së disa problemeve që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e aktivitetit në xhaminë e Domnit, po ndërhyhet në fasadë dhe brenda në objekt, me qëllimin e ofrimit të shërbimeve fetare në kushte maksimale.










