Myftiu dhe Arqipeshkvi i Shkodrës, bashkë në xhaminë e Plumbit
Atmosfera e begatë e 35-vjetorit të rihapjes së kishave dhe xhamive në Shkodër dhe në mbarë Shqipërinë bashkoi sot, më 6 nëntor 2025, në xhaminë e Plumbit, Myftiun e Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari dhe Arqipeshkvin Shkodër-Pult, Mons. Giovanni Peragine, i cili vizitoi për herë të parë xhaminë e Plumbit, si simbol i rëndësishëm i lirisë së besimit dhe qëndresës së besimeve në qytetin e Shkodrës.
Pasi i uroi mirëseardhjen në xhaminë e Plumbit, Arqipeshkvit, Mons. Giovanni Peragine, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari e njohu vizitorin e nderuar me historikun e xhamisë së Plumbit dhe vlerën dhe simbolikën e madhe që ajo ka për muslimanët e Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë.
Bashkërisht dy drejtuesit kryesorë të dy komuniteteve më të mëdha fetare në Shkodër vizituan anekset e ndryshme të këtij kompleksi të madhe të besimit dhe të vlerave të trashëgimisë shpirtërore ndër shqiptarë.
Gjatë qëndrimit në pjesën e brendshme të xhamisë së Plumbit, Myftiu dhe Arqipeshkvi dhanë mesazhet e tyre të paqes, harmonisë, bashkëjetesës dhe domosdoshmërisë së ruajtje së vlerave të përbashkëta të besimit, duke dëshmuar si 35 vite më përpara se muslimanë dhe të krishterë janë të aftë të bashkëpunojnë dhe të ruajnë harmoninë dhe mirëkuptimin në mes vete, duke u bërë një shembull i mrekullueshëm për çdo shoqëri anembanë botës.
Dy drejtuesit e lartë fetarë iu përgjigjën mediave të pranishme edhe për ligjin e barazisë gjinore, që votohet sot në parlamentin e Shqipërisë, ku njëzëri ishin të prerë në qëndrimin e tyre kundër çdo përpjekje dhe çdo projektligji që ndryshon tabanin, traditën e shqiptarëve përgjatë shekujve dhe atë çfarë është në thelb thirrja e Zotit përgjatë shekujve, ruajtja e familjes dhe moskalimi i caqeve, që Zoti ka vendosur për mbarëvajtjen e jetës së njeriut në tokë.






