Pasditën e së martës, më 7 qershor 2016, Myftinia Shkodër organizoi në ambientet e bibliotekës së qytetit, promovimin e librit me titull: “Shpjegimi i dyzet e dy thënieve profetike”, nga i nderuari Imam Didmar Faja.
Në këtë promovim morën pjesë intelektualë të qytetit, mësues të Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, imamë e teologë, familjarë e të afërm të autorit, miq e dashamirë të librit, që kishin tejmbushur sallën e aktivitetit në fjalë.
Fillimisht, thirrësi islam Lavdrim Hamja lexoi një jetëshkrim të autorit, ku spikat aktiviteti i tij i dendur në shërbim të Thirrjes Islame në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Meksikë, botimet e ndryshme, ligjëratat fetare etj.
Një vështrim mbi librin dhe vlerat e tij, ishte referati i mbajtur nga Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili u ndal te rëndësia e veprës së Imam Neveviut, 40 hadithet e përzgjedhura, si dhe shpjegimet, komentimet e analizat e shumta që i janë bërë këtij libri ndër shekuj.
Myftiu theksoi se ky shërbim i bërë nga Imam Didmar Faja i sjell dobi bibliotekës islame në gjuhën shqipe dhe e pasuron atë.
Një vështrim mbi detaje të këtij botimi e bëri edhe teologu Arben Halluni, i cili mbajti një referat, duke u përqendruar te vlera e 40 haditheve dhe morali i tyre për individin musliman dhe shoqërinë në përgjithësi.
Me shumë kënaqësi u prit fjala e autorit, i cili u ndal te katër pika të rëndësishme, që e shtynë drejt kësaj vepre plot dobi. Fillimisht, dashuria për të dërguarin e All-llahut, pastaj dëshira për të nxjerrë në pah vërtetësitë e fesë islame në këtë kohë trazirash, dëshira e mirë për t’u mësuar këto hadithe në masë dhe shpjegimi i tyre në gjuhën shqipe.
Imam Didmar Faja foli edhe për sfidën e mosdijes dhe keqleximit dhe keqinterpretimit të fesë, por edhe për numrin e madh të perëndimorëve që po hyjnë në Islam, sidomos pas leximeve të thelluara dhe bindjes se realitetet e sotme ku dër Islamit, nuk kanë lidhje me thelbin e fesë, as me vërtetësitë e tij.
Aktiviteti u përshëndet edhe nga H. Fejzi Zaganjori i cili tha se kontributi i të nderuarit Imam Didmar Faja, është vlerë e shtuar në shërbimet e hoxhallarëve shqiptarë në diasporë ndaj kombit dhe shqiptarizmës.
Në fund të aktivitetit, për pjesëmarrësit u shpërnda falas libri i ri i promovuar.