Që në orët e para të mëngjesit të ditës së martë, më 5 korrik 2016, në sheshin e Namazgjasë, bri xhamisë së Fushë Çelës, mijëra besimtarë muslimanë të Shkodrës, iu bashkangjiten organizimeve të Fitër Bajramit të këtij viti, në një atmosferë të mrekullueshme besimi dhe harmonie islame.
Ceremonia nisi me faljen e namazit të sabahut, nën drejtimin e teologut Idmir Plaku. Më pas, dy hafizët e ardhur nga Turqia, H. İbrahim Aslan dhe H. Yakup Avci, lexuan disa pjesë kur’anore.
Programi i ceemonisë u prezantua nga teologu Arben Halluni, i cili uroi të pranishmit me rastin e Fitër Bajranit dhe u lut për pranim tëagjërimit njëmujor të Ramazanit.
Në vazhdim, u mbajtën ligjërata, këshilla fetare, lutje dhe mesazhe nga teologu Naim Drijaj dhe teologu Lavdrim Hamja, që folën mbi rëndësinë dhe vlerën e vazhdueshmërisë në rrugën e adhurimeve dhe përsosjes së moralit islam, si dhe vlerën e madhe që ka studimi i Kur’anit, si burimi kryesor i udhëzimit të miliona njerëzve në mbarë botën.
Një mesazh dha edhe Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili uroi të pra ishmit e shumtë me rastin e Fitër Bajramit.
Pas faljes së namazit të Fitër Bajramit, nën drejtimin e Myftiut, hytben e rastit e mbajti imami i xhamisë “Ebu Bekër”, teologu Idmir Plaku.
Pas përfundimit të saj, të pranishmit këmbyen përshëndetjet, urimet dhe lutjet e kësaj dite të begatë festive.